180 milionë euro, kaq duhet të paguajë Real Madridi nëse e do Kylian Mbappen.
PSG ka marrë një goditje të rëndë gjatë ditëve të fundit sepse Kylian Mbappe ka refuzuar një tjetër ofertë të rinovimit të kontratës dhe i ka bërë të qartë klubit se nuk ka në plan të qëndrojë gjatë në Paris.
Ai dëshiron që ta veshë fanellën e Real Madridit dhe madje tani, nga ky sezon.
PSG e bleu në vitin 2017 për 180 milionë euro dhe tashmë nuk dëshiron që në verën tjetër, kur kampionit të botës i mbaron kontrata, ta humbë me parametra zero.
Nga Franca bëjnë me dije se për herë të parë këtë verë PSG po mendon shitjen e Mbappes. Kjo ndodh vetëm nëse vjen oferta e duhur.
180 milionë euro duan nënkampionët e Francës, nga të cilat 145 shkojnë në arkat e PSG dhe 35 të tjera te Monaco, sipas kontratës së nënshkruar 4 vite më parë.
Real Madrid tashmë e di mirë dhe si i vetmi klub i pëlqyer nga Mbappe, duhet me patjetër të nisë lëvizjet për të bërë ofertën e duhur për të riun, që ta rrëmbejë para fundit të merkatos, me 31 gusht.
Mbappe do të forconte shumë sulmin e Realit, por problemi vazhdon të mbetet në mbrojtje, pas largimeve të Sergio Ramos dhe Raphael Varane.