×
  • Sport
  • Sport

    Trajneri nga Kosova merr drejtimin e kampionit të Zvicrës në volejboll

    Insajderi
    27 August 2023 - 22:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Adriatik Kajtazi e ka menduar se një ditë do të bëhet trajner i volejbollit. E kuptueshme, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme si volejbollist në Kosovë dhe jashtë saj.

    Por Kajtazi insiston se nuk ka menduar që kaq shpejt do t’i besohet posti i trajnerit të parë nga ndonjë skuadër. Aq më tepër në një skuadër jashtë Kosovës.

    Kajtazi, 36-vjeçar, të dielën është prezantuar nga Volley Schoenenwerd si trajner i parë për edicionin 2023/2024. Në klubin kampion të Zvicrës, Kajtazi edicionin e kaluar luajti rolin e ndihmësit.

    Ish-volejbollisti prishtinas thotë se ndihet i nderuar që i është besuar udhëheqja e ekipit.

    “Pas përfundimit të karrierës është proces normal, ose të vazhdosh si trajner ose të kalosh në profesion të dytë. Zgjodha të vazhdoja si trajner për shkak të pasionit, dëshirës investimit që e ka bërë mentori im Bujar Dervishaj, sidomos familja ime. Mundësia më është dhënë nga Bujari që është mentori im dhe drejtori i ekipit. Nuk e kam menduar se do të më vij një mundësi e tillë kaq shpejt. Për mua ka qenë surprizë. Por në klubin ku vjet erdha si ndimëstrajner ishin të mendimit që unë ta udhëheqja ekipin si trajner i parë”, ka thënë Kajtazi të dielën për KOHËN.

    Kajtazi synon të mbetet gjatë në Zvicër si trajner. Me klubin e tij pret të luftojnë për trofe e po ashtu edhe për të shkuar sa më larg në garat evropiane.

    “Në shumë ekipe kam qenë edhe trajner, edhe lojtar. Por kaq shpejt të më besohet (drejtimi i ekipit) nuk e kam pritur. Për mua është privilegj. Tash kam bërë një hap tjetër dhe gjithçka është e hapur për të ardhmen. Për momentin jam i fokusuar të qëndroj sa më gjatë në Zvicër, pastaj të shohim gjatë rrugës”.

    Kajtazi thotë se klubi të cilin do ta udhëheqë është profesional. Edhe kampionati zviceran thotë se është në rritje.

    “Klubi është profesional dhe ka tendencë të ngrihet si në aspektin organizativ ashtu edhe financiar. Jemi klubi ndoshta i vetëm që bazën apo filozofinë e kemi të punojmë me lojtarë vendorë. Shumica e skuadrës është e re. Liga ka rritje të nivelit. Kemi qenë 3-4 skuadra të Zvicrës që kemi marrë pjesë në gara të ndryshme evropiane. Tri prej tyre në tetëshe apo 16-she të Evropës”, ka theksuar Adriatik Kajtazi.

    Klubi zviceran ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Zviceranët kanë hequr dorë nga e drejta e pjesëmarrjes në Championsin e volejbollit. Megjithatë, Volley Schoenenwerd do të paraqitet në CEV Cup, niveli i dytë për nga rëndësia.

    “Nuk do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve, por në CEV Cup, që për nga rëndësia është niveli i dytë i garave. Qëllimi është të punojmë me lojtarë të rinj, të zhvillojmë lojtarët. Po ashtu, synojmë t’i realizojmë objektivat në kampionat. Vitin e kaluar kemi arritur në 16 më të mirat e CEV Cup. Kemi mundur të arrijmë edhe në tetëshen më të mirë, por na kanë munguar dy lojtarë të ekipit bazë”, ka thënë Kajtazi.

    Adriatiku është nga Prishtina, ndërsa babai i tij, Xhavit Kajtazi, është prej trajnerëve më të suksesshëm në vend.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Insporti
    25 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark