Trajneri spanjoll Roberto Moreno, pritet që ta vizitojë së shpejti Kosovën.
Ai është njëri nga emrat më të përfolur për ta marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës në futboll.
Moreno do të vijë për të parë nga afër kushtet e punës, stadiumin por edhe pjesët e tjera përberëse që do ta presin atë si trajner.
“Sigurisht, do të njoftojmë ditën që vjen”, tha një burim për KlanKosova.
Spanjolli thuhet se pas kësaj do të kthejë përgjigjen, nëse pranon të jetë selektor i “Dardanëve” apo jo?
Javë më parë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kishte zhvilluar një takim me strategun spanjoll, në Stamboll.
Kosova është ende në kërkim të një trajneri, pas largimit të Primozh Glihas, i cili udhëhoqi ekipin në disa ndeshje gjatë fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që vitin tjetër pritet të mbahet në Gjermani.
Kombëtarja nuk arriti të kualifikohet në evropian.