Skuadra e Trepçës është gjysmëfinalistja e dytë e turneut të Superkupës së Kosovës.
Në çerekfinalen e dytë, të luajtur të mërkurën mbrëma, Trepça mposhti thellë skuadrën e Bashkimit. Dueli i luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, përfundoi me shifrat 102:72 në të mirë të ekipit nga Mitrovica.
Qysh në çerekun e parë, Trepça u shkëput në rezultat dhe nuk i la Bashkimit gjasat për të shpresuar në kualifikim në gjysmëfinale.
Këtë çerek, Trepça e mbylli me rezultatin 35:20, ndërsa domimin e vazhdoi edhe në çerekët tjerë, për ta mbyllur ndeshjen me 30 pikë epërsi. Në fakt, pas katër minutave të çerekut të parë, ndeshja u ndërpre për shkak të fishekzjarreve të tifozëve. Megjithatë, ajo rifilloi pak minuta më vonë pasi situata u qetësua dhe tifozët u paralajmëruan. Në gjysmëfinale, Trepça do të përballet me Sigal Prishtinën. Kjo ndeshje do të luhet të premten.
Drilon Hajrizi me 23 pikë ishte më I dalluari te Trepça, ndërsa Isiah Ross shtoi 17 sosh. Te Bashkimi, Grant Lozoya shënoi 18 pikë, ndërsa Erik Copes pati 16 sosh.