×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Tri ofendime brenda një seance- Deputetët banalizojnë Kuvendin

    Insajderi
    06 April 2023 - 16:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në seancën e sotme plenare u zhvilluan debate të ashpra mes deputetëve. Zhurma dhe toni i lartë i tyre nuk e ndalën këmbimin e gjuhës së urrejtjes në Kuvend.

    Ofendimet filluan nga deputetja e LDK-së Marigonë Geci, vajza e ish-deputetit Gani Geci, e cila ka folur për “Komunikatën nr.59” të UÇK-së. Ajo ka thënë se ish-Presidenti, Hashim Thaçi ka tentuar ta shkatërrojë familjen e saj. Por, kundër kësaj ajo thotë se familjen dhe babanë e saj nuk ka arritur ta shkatërrojë as pushteti serb i Slobodan Millosheviqit dhe as Thaçi.

    “Mbajeni në mend të gjithë ju se familjen time dhe babain tim nuk ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja [shërbimi sekret serb] e Millosheviqit, e jo më Hashim Haxhi ‘Polari’ prej Broje”, ka thënë Geci.

    Me ofendime vazhdoi zëvendëskryemnistri, Bisnik Bislimi kundrejt deputetës së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Gjersa kjo e fundit ia lëshoi një deklaratë të Bislimit të mëparshme në të cilën kishte thënë “Qeveria pranon Asociacion, qoftë edhe me kompetenca joekzekutive, Besnik Bislimi s’është më në dialog”, ai eskaloi. Në replikë, kryenegociatori Bislimi i tha asaj se “ka epsh për të marrë vëmendje”.

    “Faleminderit për pyetjen dhe kujdesin maksimal që të përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi. Po ashtu, është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme”.

    Musliu mori sërish fjalën duke i kërkuar dorëheqje Bislimit, teksa i tha se nuk ka kredibilitet me qenë kryenegociator.

    Përplasje tjetër gjatë kësaj seance, ishte ajo mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe deputetit nga radhët e PDK-së Abelard Tahirit.

    Tahiri tha se Haxhiu nuk dinë asgjë për drejtësinë dhe se me të duhet të diskutojë vetëm për “vajin në tepsi e gruan e frizerit”.

    “Albulenë me fol për drejtësi me ty është problem se sdin.  E ke dëshmu shumë herë se sdin, me ty mudemi me fol për vajin tepsih, me fol për grun e frizerit, me fol lookun tënd, me fol për punësime, me fol për higjienën Ministrinë e Drejtësisë që shpesh e poston në Facebook, por për drejtësi jo”, ka thënë Tahiri.

    Në replikë, Haxhiu tha se nuk merret me Abelard Tahirin sepse nuk pret asgjë nga ai.

    Për të gjitha këto ofendime, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca iu tërhoqi vërejtjen deputetëve për gjuhën joparlamentare por pa ndonjë rezultat.

    Kujtojmë se në seancën plenare të 23 marsit akademiku, Kujtim Shala e shau rëndë kryeministrin, Albin Kurti.

     “Phu ta q****a tradhtarin e nanës”, ishte shprehja banale e deputetit të LDK-së. /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark