Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje në të cilën sipas zëdhënësit të Qeverisë dhe anëtarit të kësaj partie, Arban Abrashi, janë diskutuar tri tema.
E para ka qenë çështja e demarkacionit, apo shënjimit të kufirit me Malin e Zi, që sipas Abrashit, mbetet një çështje nga e cila LDK nuk heq dorë, përkundër faktit se një marrëveshje e tillë po kundërshtohet ashpër nga opozita me dyshimet se Kosova po humb mbi 8 mijë hektarë tokë me këtë marrëveshje.
“Kemi qenë unik se duhet të bisedojmë më shumë me publikun rreth shenjëzimit të kufirit. Faktet për demarkacionin janë në anën tonë, do të vërtetohen dhe së shpejti do të procedohet në Kuvend”, ka thënë Abrashi pas përfundimit të mbledhjes.
Fytyrat e buzëqeshura të kryeministrit dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe anëtarëve të tjerë të partisë pas daljes nga selia kanë lënë të kuptohet se LDK është optimiste se demarkacioni do të miratohet nga deputetët.
“Është diskutuar edhe me deputetët të cilëve u është sqaruar çështja e demarkacionit”, ka thënë Abrashi.
Por demarkacioni nuk ka qenë tema e vetme e diskutimeve në këtë mbledhje.
“Është debatuar edhe për vlerësimin e punës së ministrave”, ka thënë Abrashi duke folur për gazetarë para selisë së partisë.
Ai nuk ka specifikuar nëse ka pajtim unanim për punën e ministrave në Qeverinë e Kosovës e as për miratimin e buxhetit.
“Një tjetër temë e diskutimit ka qenë amandamentimi i fundit i buxhetit të shtetit”, ka shtuar ai.
Sipas Abrashit në këtë mbledhje janë diskutuar edhe disa çështje të tjera por nuk ka specifikuar se për cilat tema bëhet fjalë./Insajderi.com