Presidenti amerikan Donald Trump në një takim të liderëve botëror, tha se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) po i mashtron me anë të çmimeve duke sjellë ankesën e tij në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Komentet e tij vijnë pak ditë pasi OPEC, Rusia dhe vende të tjera partnere, refuzuan thirrjet për të ulur çmimet nëpërmjet rritjes së prodhimit.
“OPEC dhe vendet anëtare të saj po përfitojnë në kurriz të të gjithë botës. Askujt nuk duhet t’i pëlqejë kjo. Ne i mbrojmë këto vende ndërkohë që ato përfitojnë duke na rritur çmimet e naftës”, tha Trump në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Karteli ka kufizuar prodhimin që prej muajit janar 2017 në mënyrë që të ndalojnë rënien e çmimeve që kanë falimentuar qindra kompani amerikane të naftës dhe kanë shtuar presionet financiare të vendeve prodhuese.
OPEC e uli prodhimin më shumë se që pritej për shkak të problemeve në vende si Venezuela dhe Libia.