Twitter ka ndaluar reklamat nga llogaritë e mediave shtetërore ruse, Russian Today (RT) dhe Sputnik, duke cituar agjencinë e inteligjencës së SHBA-së, se këto media kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së vitin e kaluar.
Rrjeti social me bazë në San Francisko, tha në një deklaratë se ndërhyrja në zgjedhje “nuk është diçka që duam në Twitter”, transmeton rel.
“Ky vendim nuk ishte i lehtë dhe ne po e bëjmë këtë hap tani si pjesë të angazhimit tonë të vazhdueshëm për të ndihmuar në mbrojtjen e integritetit të përdoruesve në Twitter”, tha kompania.
Muajin e kaluar, Twitter tha se kishte pezulluar rreth 200 llogari të lidhura me Rusinë, pasi kishin hetuar përpjekjet propaganduese në lidhje me zgjedhjet e vitit të kaluar.