×
  • Lajme
  • Analiza

    U dënuan me nga 15 mijë euro, si i “theu në kurriz” prokurori Rasim Maloku biznesmenët e fuqishëm të rastit “Brezovica”?

    Insajderi
    21 February 2024 - 15:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fatmir Grainca, Rijad Hasani, Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj, pesë biznesmenë të fuqishëm që ndërtuan kundërligjshëm në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, u dënuan veç me nga 15 mijë euro. Të gjithë të lartcekurit arritën marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Ferizaj në krye me Rasim Malokun për pranim fajësie. Që të pestit nga ta u dënuan nga Themelorja për veprën penale “ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit“.

    Grainca para gati një jave u dënua nga Themelorja në përputhje me një marrëveshje me Prokurorinë. Milioneri nga Ferizaj u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe 10 mijë euro gjobë, i cili dënim me burg me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Grainca është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro.

    I njëjti shabllon i dënimeve u “shpërnda” edhe tek katër biznesmenët e tjerë të akuzuar për rastin “Brezovica”.

    Për operacionin më voluminoz të Prokurorisë kundër luftimit të krimit e korrupsionit në Kosovë dhe dënimet e zbutura ndaj të akuzuarve, Gazeta Insajderi i është drejtuar prokurorit të rastit, Rasim Maloku dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

    Insajderi ka kërkuar një sqarim shtesë për arritjen e marrëveshjes me të akuzuarit që janë dënuar së fundmi për rastin “Brezovica”, mirëpo të njëjtët kanë thënë se s’i komentojnë vendimet e gjykatës.

    “Prokuroria nuk i komenton vendimet e Gjykatës dhe pas konsultimit me prokurorin e rastit rreth pyetjeve të pranuara nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këto vendime të i drejtohuni Gjykatave kompetente, në këtë rast asaj të Ferizajt dhe Pejës”, u tha në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

    75 vilat e sekuestruara në rastin “Brezovica”, në pronësi të biznesmenëve e figurave të ndryshme publike, u liruan në korrik të 2023-ës si shkak i mos-përfilljes së afatit ligjor nga ana e prokurorit të rastit, Rasim Maloku.

    Kjo gjykatë hodhi poshtë kërkesën e prokurorit Maloku, për caktim të masës së sigurisë për vilat e sekuestruara.

    Nga kjo gjykatë thanë se kërkesa e Malokut për vazhdimin e masës së sekuestrimit ishte e pasafatshme.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake e hodhi si të pa afatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Të njëjtat është urdhëruar që të lirohen”, njoftuan Gjykata e Pejës.

    Maloku kishte pritur rreth gjashtë muaj për të parashtruar kërkesën e radhës për masë të sigurisë për pronat e sekuestruara, ndonëse ligji parasheh afat prej 60 ditësh për të njëjtën.

    Lavdatat e pushtetit për rastin “Brezovica”

    Qeveria Kurti në mesin e 5 top sukseseve të javës e pati futur aksionin e rastit “Brezovica”.

    Rasti ‘Brezovica’ nga Qeveria Kurti u listuar si ngjarja e dytë më e rëndësishme, përkatësisht si e suksesshme për ekzekutivin.

    “Brenda javës u sekuestruan më shumë vila se që ishin ndërtuar jashtëligjshëm në 20 vitet e fundit së bashku”, njofton Qeveria.

    Vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte përgëzuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për aksionin Brezovica.

    “Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashkët“, thoshte Sveçla.

    Në anën tjetër, ministrja Haxhiu e kishte quajtur si “rastin më të rëndësishëm të luftimin e korrupsionit që nga paslufta”.

    “Me shqetësim të thellë po i përcjell raportimet për ndërhyrjet flagrante në rastin e njohur Brezovica. Hetimet që po zhvillohen në kuadër të këtij rasti janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë”, kishte deklaruar ajo.

    Në kuadër të aksionit “Brezovica” ishte arrestuar edhe Berat Lahu, asamblist i partisë në pushtet, si dhe dhëndër i ministrit Liburn Aliu.

    Lahu ishte arrestuar më 21 shtator të këtij viti në kuadër të aksionit “Brezovica” të udhëhequr nga prokurori Maloku nën dyshimin se Lahu ka kryer dy vepra penale: “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

    Raportimet e Insajderit për rastin ‘Brezovica’:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark