×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    U nderuan kriminelët serbë që masakruan shqiptarë në Luftën e Parë Botërore – ja çfarë thonë historianët

    Insajderi
    15 November 2022 - 20:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bartës të Institucioneve qeveritare në Republikën e Kosovës duket se kanë shkëputur raportin me historinë. Ata po tregojnë pandjeshmëri karshi ngjarjeve historike. Kjo u dëshmua, kur ministri i Ministrisë për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me gardën ceremoniale të FSK-së bën nderime për ushtarët serbë në varrezat e të krishterëve në Prishtinë, një nderim i organizuar nga ambasada gjermane dhe franceze. Në lidhje me këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me historianët Col Mehmeti dhe Azdren Shala.

    Studiuesi dhe përkthyesi, Col Mehmeti, argumenton se është e panevojshme që të përkujtohen ngjarje, data e evente nga historia tragjike e Luftës së Parë Botërore.

    Garda ceremoniale është nderi më i lartë ushtarak dhe shtetëror, por nuk ka kurrfarë sensi që të komemorohen ngjarje, data e evente nga historia tragjike e Luftës së Parë Botërore, sidomos jo aso që përnaltësojnë ushtrinë pushtuese serbe në Kosovë e Maqedoni” – tha fillimisht Mehmeti.

    Ai thekson se edhe ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë nuk po respektojnë viktimat shqiptarë.

    “Edhe veprimet e ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë nuk janë në frymën e respektimit të dhjetëra mijëra viktimave shqiptare që i shkaktoi “aleatja” e Antantës, Serbia”- tha ai.

    Ndërkaq, profesori Azdren Shala thotë se Ministria e Mbrojtjes së Kosovës duhet të kërkojë falje për një gabim të tillë.

    Ai konsideron se nderimi ndaj ushtarëve serbë është edhe ofendim për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    “Ky gabim që është bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës duke dërguar ushtarët të FSK-së në nderim të vrasëseve të shqiptarëve, është ofendim për të gjithë qytetarët e këtij vendi, e në veçanti për ato familje që i kanë të ruajtura në kujtesën e vet kolektive krimet që janë kryer ndaj paraardhësve të tyre. Kërkimfalja është më e pakta që mund të bëjë shteti i Kosovës” – tha Shala.

    Tutje, historiani Shala tha se polemika që shkaktoi nderimi i gardës së FSK-së në pllakën përkujtimore ku janë prezent edhe ushtarët e rënë serbë të LPB, duhet të trajtojë tri gjëra me rëndësi.

    Sipas tij, e para lidhet me pasaktësinë e simbolikës që bartë ajo pllakë, e dyta në tërë atë ceremoni përkujtimore ka një kontradiktë. Dhe e treta, në tërësinë e vet ngjarja shpërfaqë një tendencë për instrumentalizim të historisë.

    Fillimisht, duhet të ceket që, mbishkrimi ku thuhet “përkujtohen ushtarë të rënë gjatë Luftë së Parë Botërore 1912-1918”, ka një pasaktësi meqë LPB ka filluar në vitin 1914, ndërsa krimet më të mëdha ushtria serbe ndaj civilëve shqiptarë i ka kryer gjatë luftës së Parë Ballkanike 1912-1913, si pushtues të Kosovës. Këtu vërehet qartë qëllimi që krimi i kryer ndaj popullsisë shqiptare të amnistohet, duke i paraqitur si vrasje që janë kryer në kuadrin e një lufte globale, rrjedhimisht edhe veprimet janë më të justifikuara” – tha ai.

    Derisa shton se: “Një problematikë tjetër që lidhet me rastin në fjalë është ceremonia e përbashkët përkujtimore për ushtarët gjermanë, francezë dhe serbë, kur dihet se Gjermania dhe Franca kanë qenë kundërshtar në atë luftë të madhe. Pra nderohen njëjtë edhe nxitësi i luftës dhe rezistuesi, edhe vrasësi edhe viktima. Kjo mbase me standarde evropiane ka një kuptim, meqë gjermanët dhe francezët kanë arritur të reflektojnë dhe të pranojnë fajet nga e kaluara si dhe në vrasje të ndërsjella janë afërsisht të barabartë, por ky standard nuk mund të aplikohet në Ballkan. Aq më pak mes shqiptarëve dhe serbëve, ku njëra palë vazhdimisht ka qenë viktima (shqiptarët) dhe tjera agresori (serbët)“.

    Ndryshe, në fotografitë e publikuara u pa rreshtimi i Togut të Gradës Ceremoniale pranë pllakates së serbëve që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914.

    Lidhur me këtë, komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka pranuar se rreshtimi i gardës së FSK-së ishte “gabim” në ceremoninë ku u nderuan të rënët e Luftës së Parë Botërore.

    Por një lëshim të tillë nuk po e pranon edhe Ministria e Mbrojtjes. Përmes një reagimi zyrtar, ministria thotë se nuk është e vërtetë se Togu i Gardës Ceremoniale ka nderuar të rënët serb.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark