Vetëm pak orë pasi filloi shitja online, tashmë janë shitur pothuajse të gjitha biletat për ndeshjen e datës 9 shtator ndërmjet Kosovë dhe Zvicrës e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe është e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “EURO 2024”.
Stadiumi “Fadil Vokrri” ka kapacitet prej 13 mijë e 980 ulëseve, andaj shitja totale e biletave garanton atmosferë të zjarrtë në mbështetje të “Dardanëve” përballë Xhakës e Shaqirit me shokë.
Kjo ka bërë shumë tifozë të nisin kërkimet për të siguruar bileta përmes ndonjë rruge tjetër, siç mund të jetë tregu i zi, por grupi i tifozëve të Kosovës të njohur si “Dardanët”, kanë dalë me një njoftim ku thonë se kanë bileta në dispozicion, por, siç thonë ata, jo për të gjithë.
“Grupi ‘Dardanët’ posedojnë bileta, por vetëm për anëtarët e anëtarësuar dhe ata besnikë/fanatikë që mbështesin kombëtaren për 90 minuta dhe assesi për VIP-a që gjatë ndeshjes konsumojnë fara e i kanë duart e zëna për të duartrokitur e kënduar”, thuhet në njoftimin e “Dardanëve”.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës zhvillohet më 9 shtator, me fillim nga ora 20:45. /kp