×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “U rrahën në dy grupe, ndodhi pranë shtëpisë”- detaje të reja nga vrasja e mbrëmshme në Vushtrri

    Insajderi
    30 October 2023 - 12:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përgjatë mbrëmjes së të dielës, në Vushtrri ka mbetur i vrarë një person, ndërkaq dy të tjerë janë plagosur rëndë.

    Gazeta Insajderi raportoi mbrëmë se personi i vrarë me armë zjarri ishte Fatos Zenuni.

    Pos tjerash, dje u raportua për arrestimin e dy personave. Mediumi raportoi se njëri nga të arrestuarit ishte Jetmir Sinani.

    Përgjatë së hënës, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se janë arrestuar edhe tre të dyshuar të tjerë.

    “Gjatë hetimeve të rastit janë identifikuar edhe tre persona te tjerë, te cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Me urdhër të prokurorit, personave në fjalë ju është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, ndërsa trupi i pajete i viktimës F. Z.,27 vjeçar, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, ka njoftuar ai për Insajderin.

    “Me 29.10.2023, rreth orës 15:45 është  raportuar se në rrugën ,,Mehmet Konjuhi” në Vushtrri,  është raportuar për te shtëna me arme zjarri. Njësitë policore kanë shkuar në vend të ngjarjes, ku është gjetur pa shenja jete viktima  një person i vrarë dhe dy persona të plagosur, të cilët janë dërguar fillimisht në spitalin e Vushtrrisë dhe më pas për trajtim të mëtutjeshme janë dërguar në QKUK. Policia ka arritur ti identifikoj dhe ti arrestoj dy të dyshuar J.S, 24 vjeçar dhe E.B., 24 vjeçar, në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë AK 47 dhe po ashtu edhe një veturë e cila është përdorur në rast”, ka sqaruar ai për veprimet e mbrëmshme policore.

    Lidhur me rastin, Insajderi ka kontaktuar edhe kryeprokurorin e Mitrovicës, Ismet Ujkanin. Ai ka thënë se sipas informacioneve që ka marrë nga prokurori kujdestar, vrasja kishte ndodhur afër shtëpisë së të dyshuarit.

    Sipas tij, deri tek vrasja erdhi pas një konflikti fizik që kishte pasur mes dy grupeve. Ujkani ka thënë se dy grupet ishin rrahur edhe më herët.

    “Një dyshohet për vrasje të rëndë, tre për pjesëmarrje në rrahje. Një person është i privuar nga jeta, dy janë të plagosur. Më parë ka ndodhur një rrahje mes dy grupeve, përfshirë viktimën me shokët e tij dhe dorasin e dyshuar me shokë. Persona të tjerë me të cilët dyshohet se ka qenë viktima kanë ikë. Tash, këta personat që janë të arrestuar, këta kanë qenë të gjithë së bashku”, ka thënë ai për Insajderin.

    Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Prokuroria do të kërkojë për masën e paraburgimit për të arrestuarit, sipas Ujkanit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark