Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili ka prezantuar sot projektin për ndërtimin e spitalit të Prishtinës.
Ai u zotua se ky projekt është ndër prioritetet e tij dhe si i tillë do të jetë i gatshëm deri në vitin 2024.
Ismaili tha se në mungesë të këtij spitali prishtinasit janë detyruar të marrin shërbime në spitalet private, gjë e cila e ka rënduar xhepin e tyre. Ai tha se fizibiliteti për spitalin e Prishtinës është i gatshëm, pasi është përgatitur gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë.
“Projekti dhe plani i fizibilitetit janë gati. Spitali do të ketë kapacitete 200 shtretër, katër dhoma operimi, 54 dhoma të intervenimit dhe një kapacitet prej më shumë se 200 profesionistëve shëndetësorë”, tha ai.