Mesfushori Valon Berisha ka thënë se Kosova ka gjasat e saj për ta mbyllur me rezultat pozitiv ndeshjen kundër Zvicrës favorite. Ai të mërkurën për faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se, Zvicra është kundërshtare e vështirë. Por Berisha i rikthyer në Përfaqësuese pret mbështetje nga publiku për të arritur rezultat pozitiv kundër Zvicrës.
Ndeshja Kosovë – Zvicër zhvillohet të shtunën dhe i takon grupit I kualifikues për “Euro 2024”. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45.
“Jemi duke u përgatitur për Zvicrën. E dimë që është kundërshtare e fortë. Kemi zhvilluar dy ditë stërvitje intensive, për t’iu përshtatur ritmit të lojës të caktojmë sistemin se si do të futemi në ndeshje. E kemi analizuar Zvicrën. Kanë qenë dy stërvitje të mira. Ekipi është në fokus, pasi e dimë që Zvicra është kundërshtare e fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Por në futboll të gjithë e dimë se gjithçka është e mundur. Nëse organizohemi mirë dhe japim maksimumin, ekziston mundësia për të nxjerr një rezultat pozitiv”, ka thënë Berisha.
Ai insiston se përballja ndaj Zvicrës do të jetë e vështirë. Por shton se do të mbështeten tek grupi për të mos humbur nga helvetikët.
“Kemi shumë shqiptar që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin. Të gjithë e dimë se stadiumi do të jetë i mbushur dhe do të ketë atmosferë të mirë, por sigurisht se do të jetë edhe një ndeshje e vështirë. Të gjithë e dimë këtë. Ne do të mundohemi për një rezultat pozitiv. Atmosfera është e mirë në grup, trajneri fokusin e ka tek ekipi, jo zhurma përreth. Falënderojmë ‘Dardanët’, por edhe të gjithë që na mbështesin dhe na shikojnë në çdo ndeshje. Besojmë se do t’i kemi mbështetës edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka theksuar Berisha.
Berisha për Kosovën ka shënuar katër gola në 36 paraqitje. /koha/