×
Insajderi / Insajderi

Varhelyi: Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes zbatimit të marrëveshjeve dhe dialogut

Insajderi
14 February 2023 - 19:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Rruga evropiane e Kosovës dhe ajo e Serbisë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE’ja dha zbatimi i marrëveshjeve, ka thënë Komisionari i BE’së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, raporton Insajderi.

Varhelyi citoi tri konkluzionet e Këshillit Evropian në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, ku pika tre i referohet “zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar” të marrëveshjeve paraprake, e ku në veçanti dallohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Do të ishte më së miri të përgjigjem duke cituar konkluzat e Këshillit Evropian nga java e kaluar. Dhe aty u bë qartë se cilat janë kushtet për përparim në rrugën evropiane”, tha komisionari hungarez.

“Të gjithë e dimë se cili është qëndrimi ligjor për statusin e Kosovës. Pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo ndikon në qasjen tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash, Presidenca suedeze është duke shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati, por vendimi nuk na takon neve, por Këshillit”, tha ai.

Këshilli Evropian doli me tre përfundime në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi pas samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, ku në veçanti u kërkua që palët ta shfrytëzojnë planin franko-gjerman si shans historik, shkruan Insajderi.

Në dritën e tensioneve të fundvitit të kaluara, KE bën thirrje për përparim urgjent drejt normalizim të marrëdhënieve përmes procesit të lehtësuar nga BE.

Ndërkaq, marrëveshjet e kaluara, përfshirë edhe Asociacionin, duhet të zbatohen “plotësisht dhe pa kushte”, thuhet në konkluzionin e tyre.

Për Asociacionin, ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shpaloi “gjashtë kushte” përmes plotësimit të të cilëve, sipas tij, ajo do të mund të bëhej.

“Në dritën e tensioneve të fundit në Kosovë, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës* dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë”.

“Këshilli i Evropës mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet mes palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme si shans historik që duhet shfrytëzuar nga të dyja palët, përfshirë kjo edhe në lidhje me realizimin e perspektivës së tyre evropiane”.

“Këshilli i Evropës nxit të dyja palët që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushtëzime, obligimet e ndërmarra në kornizën e dialogut, përfshirë edhe marrëveshjet prej 2013/2015 për të krijuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”./Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika
Insajderi
01 September 2023

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark