×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Varri 80-vjeçar i Hysni Lajçit, ndërgjegja e vrarë e Gjakovës

    Insajderi
    26 June 2023 - 16:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Gani Mehmetaj, publicist dhe shkrimtar

    (Një vrasje makabre që po zbardhet pas tetëdhjetë vjetësh. Kush ishte vrasësi dhe pse heshtin gjakovarët?)

    Tetëdhjetë vjet qëndron i vetmuar varri i Hysni Lajçit, komandantit të policisë nacionaliste të Gjakovës. Tetëdhjetë vjet e ka mbuluar heshtja dhe konspiracioni një qytet të tërë, ndërsa askush asnjë fjalë nuk e thotë as sot për burrin trim, që Fadil Hoxha e tërhoqi zvarrë nga Prizreni në Landovicë.

    Kush ishte Hysni Lajçi dhe nga buron ai tërbim bishe i partizanit jugosllav Fadil Hoxhës?

    Ish shoferi i autobusit të Kosovatransit, Sh. B. që qarkullonte nga Gjakova në Prishtinë dhe ish- truproje e Fadil Hoxhës, i ka treguar mikut tim Gj. M.

    dyzetë vjet më parë një rrëfim rrëqethës: dhe i ka lanë amanet që ta hidhte në letër!

    “Ishte kohë lufte. Fadil Hoxha në debatin me Hysni Lajçin, për fatin e Kosovës në Bunjaj që të mbetej nën Jugosllavi apo të bashkohej me Shqipëri, u deklarua për riokupim. Hysni Lajçi, komandant i policisë nacionaliste doli para partizanëve të tjerë dhe i tha: “O Fadil Hoxha kombi nuk do ta harroj kurrë këtë tradhti”.

    Gjakovën dhe Kosovën i riokupoi ushtria jugosllave, bashkë me ta ishte edhe Fadil Hoxha.

    I vjen lajmi Fadil Hoxhës tashmë njeri i fuqishëm i pushtetit jugosllavë se Hysni Lajçi është fshehur në Prizren. Merr me vete F. Hoxha i Gjakovës disa ushtarë, e rrethojnë shtëpinë ku ishte Lajçi dhe kërkojnë që ai të dorëzohet.

    Hysniu doli në dritare të katit të dytë dhe ia lëshoi një zë Fadil Hoxhës. duke i thënë : “Një Bajram Curr e ka ba nana, i dyti jam unë”.

    Kur e ngritëm kokën, ai ia shkrepi vetës një plumb në kokë.

    Me tmerroi kjo pamje. Fadil Hoxha i zemëruar pse nuk u dorëzua klithi: E vrau vetën heu ktij nanën ia q…

    Na urdhëroi ta lidhnim kufomën me zinxhir prapa xhipit ushtarak. E tërhoqëm zvarrë nëpër rrugët e Prizrenit deri në Landovicë. Aty na tha ta hidhnim kufomën që ta hanin qentë. Kur e zgjidhem ia pamë shpinën: lëkura dhe mishi i kishte rënë nga zvarritja kalldrëmit e gurëve të rrugës. Fytyra nuk i shquhej nga pluhuri. E lutëm që të lejonte varrimin në Gjakovë.

    Pas shumë lutjeve na tha me përbuzje: “mund ta varrosin vetëm në varret e magjypëve”(romëve).

    Ne ushtarët e morëm të vdekurin, e varrosëm aty ku na urdhëroi komandant Fadili, në varret e jevgjve! Shumë vjet më vonë pushteti popullor i rrënoi varret e jevgjve dhe e ndërtoi shkollën fillore Vojo Llakiqeviç. Varri i Hysni Lajçit mbeti i vetmuar në oborrin e asaj shkolle fillore”, tregonte shoferi i autobusit të Kosovatransit, ish truproje e Fadil Hoxhës. Sh. B.

    Atëbotë, me tregoi miku im nuk guxoja të tregoja askund, sepse Fadil Hoxha ishte në kreun e pushtetit jugosllav në Beograd. Por edhe kur vdiq Fadil Hoxha gjakovarët heshtnin, askush nuk e thoshte asnjë fjalë. Madje as i biri i shoferit të Kosovatransit nuk lejoi që të përmendej babai i tij dëshmitar

    Pastaj shkolla fillore e hoqi emrin e Voja Llakiqevic dhe e zëvendësoi me emrin e Zekerija Rexhës. Varri i Hysni Lajçit, mbeti edhe më keq, u bë deponi plehrash, ku nxënësit e kësaj shkolle hedhin mbeturina. I lenin çantat mbi varr, dhe besa edhe nevojën e vogël e bënin mbi te ngase nuk ishte shumë larg në një qoshe të oborrit të shkollës!

    Askush nuk e thotë asnjë fjalë për këtë vrasje makabre.

    Varri i vetmuar, i mbuluar me plehra është ndërgjegjja e vrarë e Gjakovës: qytetarë të dy brezave, shkrimtarë të rinj e të vjetër, intelektualë, zejtarë e tellallë. Në vend se të ndriçonin dhe të flisnin për këtë vrasje makabre: “Ata kërkojnë që edhe bustin t’ia vendosin Fadilit diku ne mes të qytetit!”, me shkruan miku im Gj.M. që e ndriçoi vrasjen e komandantit nacionalist Hysni Lajçit.

    E kuptojmë pse e heshtnin dje, (kishin frikë), por nuk e kuptojmë pse e heshtin sot.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark