×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ​Vasfije Krasniqi kërkon që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol përkujtimor i gjenocidit

    Insajderi
    06 December 2022 - 19:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëra nga viktimat që ka denoncuar publikisht dhunën seksuale, Vasfije Krasniqi – Goodman, përmes një letre krerëve të shtetit, ka kërkuar që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

    Ajo tha se arsyetimi i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, është i duhur dhe iu kërkoi krerëve të shtetit që ta përkrahin këtë iniciativë për përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidale në njërën nga petalet e lulëkuqes.

    “Bëj thirrje publike në emrin tim personal, dhe në emër të organizatës “Drejtësi Për Të Gjithë” që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë” – shkroi ndër tjerash ajo.

    Postimi i plotë:

    E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Zonja Vjosa Osmani

    I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Zoti Albin Kurti.

    I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca

    Të nderuar ish kolegë të mi, deputetë të Kuvendit të Kosovës,

    Të nderuar qytetarë të Kosovës,

    Në cilësinë e ish deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe si njëra nga viktimat që denoncoi publikisht dhunën seksuale që paraqet formë të gjenocidit që Serbia zbatoi mbi popullin tonë, kam marrë një kërkesë nga Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” drejtuar institucioneve shtetërore dhe forcave politike të Kosovës që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

    Dita ditës njerëzve u bëhet e qartë se plani i Serbisë për gjenocid në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve si komb dhe për realizimin e këtij qëllimi ata vranë shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, dhunuan seksualisht mbi 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë, dëbuan nga vatrat e tyre mbi një milion shqiptarë dhe shkatërruan mbi 100 mijë shtëpi, objekte arsimore, monumente kulturore dhe historike që lidhen me identitetin e shqiptarëve.

    Pasi lexova me vëmendjen e duhur arsyetimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” për domosdoshmërinë që të kemi një logo të vetëm që do të simbolizonte krimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfshirjen e çdo forme të akteve gjenocidare në njërën nga petalet e lulëkuqes, vendosa t’u bëj thirrje publike në emrin tim personal, dhe në emër të organizatës “Drejtësi Për Të Gjithë” që ta përkrahni këtë iniciativë dhe të ndërmerrni të gjitha hapat e nevojshëm për zyrtarizmin e këtij simboli gjithëpërfshirës, si simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark