Trajneri i Dritës, Akis Vavalis, është ndarë tejet i kënaqur me fitoren e ekipit të tij në udhëtim te Feronikeli ’74.
Të enjten, Drita triumfoi me rezultatin 2:0 për ta regjistruar fitoren e tretë këtë edicion dhe të dytën rresht. Vavalis ka thënë që ekipi i tij pati paraqitje të mirë, ndonëse pati ankesa për repartin e mbrojtjes që shkaktoi penallti, të cilën nuk arriti ta realizoj Robert Rrahmani i vendasve.
“Sigurisht, jam i lumtur me fitoren pasi jemi përmirësuar dukshëm në krahasim me ndeshjet e fundit.
Në mbrojtje ndoshta nuk kemi reaguar mirë, por do të përpiqemi t’i përmirësojmë edhe këto gabime për të ardhmen. Në përgjithësi, jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve përkundër orarit të ngjeshur dhe tani na mbetet të përgatitemi për derbin e qytetit që e kemi në vikend me Gjilanin”, ka thënë Vavalis.