Nënkryetari i LDK-së dhe kandidati për deputet nga kjo parti, Agim Veliu, tha të hënën në tubimin elektoral në Podujevë, se Llapi dhe Kosova nuk do të lejojnë që të arrihet synimi i të majtëve, siç tha ai, për ta skuqur Kosovën.
“Brigadat e kuqe kanë dalë në sipërfaqe për të mbjellë farën e keqe. Ata po shpërndajnë e lidhin shirita të kuq gjithandej në Kosovës. Këtë po e bëjnë për të treguar se nëse e realizojnë ëndërron e tyre, do ta skuqin Kosovën pas 14 shkurtit. Por Llapi dhe gjithë Kosova nuk të lejojnë një gjë të tillë”, tha Veliu.
Ai u shpreh i bindur se më 14 shkurt, LDK do të fitojë dhe do t’i ndalë synimet e tilla.
“Të dielën e 14 shkurtit do të ndalen synimet e të majtëve, marksistëve e leninistëve. Në këtë ditë do të rrënohen edhe të gjitha piramidat e sondazheve që behën në formën sa më shumë pare aq me e lartë përqindja”, tha Veliu.