×
Zgjedhjet 2021

Veliu i quan fëmijërore deklaratat e Osmanit ku tha se e ka paragjykuar Kurtin pasi u ndikua nga LDK-ja

Insajderi
11 February 2021 - 22:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka komentuar deklaratën e u.d të presidentit, Vjosa Osmani e cila kishte thënë se ka pasë paragjykime ndaj Kurtit në bazë të “konstruksioneve të ndërtuara në LDK”.

Veliu tha se ajo çfarë ka deklaruar Osmani është fëmijërore dhe qesharake. Ai theksoi se në LDK nuk është bërë asnjë konstruksion për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

“Në asnjë rast,po ju them me saktësi të plotë që në kryesinë e LDK nuk thuren konstruksione për askënd. Në LDK diskutohen hapur të gjitha vendimet propozimet që jepen prej secilit, aty ka mendime dhe një përfundim, sepse një kryesi në fund të çdo propozimi e merr një vendim”, tha Veliu në Debat Plus.

Tutje ai shtoi se në LDK është diskutuar për dallimet e mëdha që i kanë me Vetëvendosjen.

“Ne i kemi diskutu dallimet e mëdha që i kemi me Vetëvendosjes, ka pasur skepitcizëm prej disave që është vështirë të qeveriset me Vetëvendosjen, për arsye të njohura. Me përgjegjësinë ma të madhe e them se nuk është bë asnjë konstruksion për Albin Kurtin. Ajo çfarë deklaron zonja Osmani është femijërore, qesharake”, ka thënë Veliu.

Kujtojmë se kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka thënë se deklaratat që i kishte bërë në të kaluarën për tashmë partnerin e saj të koalicionit, Albin Kurtin, kanë qenë të ndikuara edhe nga LDK-ja.

“Është e vërtetë që për një kohë të gjatë kam qenë e rrethuar me njerëz që kanë ndërtuar koncesione të tilla dhe që ka qenë e pamundur t’i vërtetosh. S’kam pasë kontakt me Kurtin që ta njihja mirë. Kam pasë paragjykime bazuar në ato konstruksione në partinë ku isha.Tani, sidomos në këtë vitin e fundit, kam arritur ta shoh dhe ta njoh nga afër gjithë qëllimin e tij të mirë për vendin tonë. Në qoftë se janë thënë gjëra të ashpra gjatë fushatës kanë qenë të ndikuara. Realiteti është krejt i kundërt nga ato konstruksione”, kishte deklaruar Osmani.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark