Komisioni Disiplinor në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës nuk është treguar aspak i “butë” me disa prej zyrtarëve të klubeve të elitës së futbollit kosovar.
Për disa “fjalë goje” apo deklarata kundrejt punës në shtëpinë më të madhe të futbollit të Kosovës, drejtori i Dritës, Valon Zymberi dhe ai i Drenicës, Taulant Dajaku e pësuan rëndë.
Të dy kanë pasur deklarata dhe reagime të ashpra ndaj drejtuesve të FFK-së, me ç’rast dje (e enjte) morën edhe nga një dënim arbitrar nga Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht nga Komisioni Disiplinor.
Si Zymberi, ashtu edhe Dajaku u dënuan me nga një gjobë prej 200 eurosh, por edhe me ndalesë prej gjashtë muajve për ta kryer rolin e tyre në klubet përkatëse.
FrontOnline ka kontaktuar me Zymberin në lidhje me këtë vendim, i cili thotë se “nuk është aspak për t’u befasuar”, derisa Dajaku deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka kthyer përgjigjje.
Zymberi: Ata mendojnë se jemi në Korenë e Veriut, kjo gjë është për keqardhje
Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi e ka komentuar vendimin duke thënë se nuk është aspak i befasuar.
Ai tutje tregon se “kjo është arsyeja pse kanë ngritur zërin për ndryshim”.
“Nuk më befason aspak ky vendim pasi të tillë janë njerëzit brenda FFK-së, andaj për këtë arsye kemi ngritur zërin se duhet pasur ndryshime sepse ata mendojnë se jemi në Korenë e Veriut dhe se me diktakturë me u rregullu gjërat, gjë që nuk mundet me qenë në një shtet demokratik siç jemi ne”, ka thënë fillimisht Valon Zymberi duke vazhduar:
“Kështu që nuk është e çuditshme, por është për keqardhje çasja e tyre ndaj personave zyrtarë, në këtë rast ndaj meje. Por, problemi nuk mendoj se është Valon Zymberi apo individë të tjerë”,
Për fund, Zymberi thotë se shpreson që kjo çasje e FFK-së të ndryshojë.
“Ata e kanë humbur arsyen dhe nuk e dinë se çfarë me vepru në këtë rast dhe mundohem të merren me mu dhe persona të tjerë duke humbur vëmendjen nga skandalet që i kanë bërë. Kjo është për keqardhje, por shpresoj se ata do t’i thërrasin mendjes dhe do ta ndryshojnë këtë çasje pasi kjo s’i bën nder federatës dhe askujt tjetër”, deklaroi të premten për FrontOnline Valon Zymberi.
Përpos Zymberit dhe Dajakut, FFK-ja pushon nga puna edhe Eroll Salihun
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përgjatë tërë ditës së djeshme përmes Komisionit Disiplinor ka vendosur që t’i dënojë drejtorin sportiv të Drenicës, Taulant Dajakun dhe drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberin.
Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku dhe ai i Dritës, Valon Zymberi dënohen me nga gjashtë muaj mos kryerje të detyrës në klubet e tyre përkatëse.
Po ashtu, të dy drejtorëve sportivë në fjalë iu është shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 eurosh, e cila është e obligueshme të paguhet në afatin prej tetë ditëve.
Të dy këta ishin kundër procesit zgjedhor të FFK-së dhe ishin mjaftë aktivë në studiot televizive.
Poashtu, edhe Eroll Salihu u përjashtua nga pozitat e tij në FFK, për arsye thuajse të njejta – deklaratat kundër drejtuesve të FFK-së.
“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe Këshilltar i lartë ligjor mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkuar”, thuhet në njoftim.
Eroll Salihu në kohën e fundit ishte kthyer në “opozitë” të udhëheqësisë aktuale të FFK-së. Ai e kishte quajtur Kuvendin Zgjedhor për kryetar të FFK-së si të paligjshëm.
Salihu për kohë të gjatë ishte sekretar i përgjithshëm i FFK-së, ndërsa pas konfliktit të vazhdueshëm me Agim Ademin kaloi në pozitën e drejtorit sportiv dhe Këshilltarit të lartë ligjor.