×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Vepra e Fishtës, monument i çmueshëm i fjalës shqipe

    Insajderi
    02 October 2023 - 13:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Shefkije Islamaj, studiuese dhe profesoreshë e gjuhës shqipe

     

    Të studiosh gjuhën e Gjergj Fishtës dhe të synosh që ta rrokësh atë nga të gjitha anët është një punë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur në suazat e një studimi çfarë është konceptuar të jetë ky yni. Kjo ishte arsye pse jemi kufizuar vetëm në veçoritë më të spikatura dhe më karakteristike të gjuhës së tij, ato që e përfaqësojnë më së miri pasurinë e forcën shprehëse të gegërishtes, përkatësisht të shqipes, të shfrytëzuar e të aktualizuar në mënyrë plotësisht të veçantë nga pena e tij.

    Të paktë janë autorët që i kanë sjellë pasurim cilësor shprehjes artistike të shqipes sa e si Fishta. Dhe kjo pasuri nuk ka mbetur e pa vënë re nga studiues e njohës të veprës së tij letrare.

    Shkrimtarët janë ata që mund ta zbulojnë më së gjeri e më së thelli pasurinë e një gjuhe a një dialekti. Në këtë drejtim Gjergj Fishta është shembull tipik. Ai kishte ndjenjë të hollë për gjuhën dhe semiotikën e saj. Me përdorimin, lëvrimin, përpunimin dhe me gjallërimin e fjalës shqipe, mund të thuhet se ai i ka ndërtuar monument të madh fjalës shqipe. Prandaj, mund të thuhet se gjuha e tij është dokument për historinë tonë gjuhësore e për historinë tonë kulturore.

    Duke lexuar veprën e Fishtës vërtetohet një e dhënë e përbotshme se fjala është pasuria më e madhe e kësaj bote, vërtetohet se gjuha është “emri e mbiemri i çdo shkrimtari, është certifikata e lindjes së çdo autori dhe se shkrimtari nuk mund të ketë dokument personal më të vlefshëm se gjuhën”.

    Pasuria leksikore është shenjë dalluese e veprës së tij artistike. Ai hulumtoi e gërmoi, zgjodhi e përzgjodhi, zgjeroi e përpunoi, me kujdes e me dashuri, fjalët e shqipes së përgjithshme, fjalët e dialektit të tij, fjalët e vendlindjes, fjalët e babait, të gjyshit e të stërgjyshit; u dha shpirt a i rigjallëroi fjalët “e vdekura” e “gjysmë të vdekura”; ua hoqi pluhurin fjalëve “të harruara” e “të shmangura”; i zgjeroi e u dha peshë fjalëve të veçanta e fjalëve të kohës së tij; krijoi, rikrijoi e modifikoi fjalë të reja ose fjalë mbi bazën e fjalëve të njohura; çliroi e tëholloi peshën kuptimore të shumë njësive leksikore, në të vërtetë shtendosi e shkarkoi semantikisht shumë fjalë, por edhe tendosi e ngarkoi semantikisht shumë sosh. Me një fjalë, ai shfrytëzoi si rrallë ndonjë autor tjetër pasurinë leksikore të shqipes, mjetet e mundësitë e saj.

    Por, jo vetëm kaq. Fishta, ndërkaq, gjithë këtë pasuri, – njësi leksikore e mjete të ndryshme gjuhësore, fjalë të zakonshme e fjalë të veçanta, fjalë të moçme e fjalë të reja, fjalë vendëse e fjalë të huaja, shprehje e njësi frazeologjizma – i poetizoi dhe u dha ngjyrë estetike.

    Numri fjalëve që përdori Fishta në veprën letrare e publicistike është relativisht i madh, ndërsa numri i fjalëve krahinore që do të njohin jetën e tyre në formë shkrimore, ndoshta për herë të parë në veprën e tij letrare, kapërcen disa qindra. Por, atij nuk i mjaftuan vetëm fjalët, si njësi të veçanta letrare. Gjurmoi e gjeti shprehje e ndërtime të ndryshme frazeologjike, formula gjuhësore të moçme sa shqipja, aktivizoi a gjallëroi kategori të ndryshme gjuhësore-folklorike, emra e emërtime njerëzish e vendesh. Kështu, fjalori i tij u bë ndihmësi më i madh i frymëzimit e i talentit të tij, në të vërtetë i artit të tij. Fjalori i tij është fjalori i shqipes së djeshme e i shqipes së sotme. Ai nuk është fjalori i dialektit të tij, po fjalori i shqipes, sepse dialektet përcaktohen në mbështetje të veçorive gramatikore, fonetike e morfologjike, e jo leksikore. Dallimet eventuale në rrafshin leksikor janë rrjedhojë e mungesë së takimeve, ndeshjeve a kontakteve për arsye të faktorëve të ndryshëm jashtëgjuhësorë e jo atyre gjuhësorë. Shpërndarja e leksikut nëpër të folmet e gjuhës në të shumtën e herës shpreh rregullsi e sistemsi. Prandaj dallimet, shpesh, shprehen më të theksuara edhe në vetë dialektin, sesa midis dialekteve. Ai përdori, kështu, fjalë, shprehje e mjete të mbarë shqipes, me veshjen fonetike të shqipes, e me veshjen fonetike të dialektit verior të saj, por duke ua zgjeruar dhe duke ua ripërtërirë formën, përmbajtjen e semantikën e tyre. Duke vepruar kështu ai provoi se shqipja është një dhe çdo pasurim e aktualizim pasurish e mjetesh të çdo dege të saj do të thotë pasurim i trupit të saj, do të thotë lëvrim e përpunim i substancës së saj. I cilësuar si shkrimtar shpesh “regjionalist” nga ana gjuhësore, ai me veprën e tij i dha krahë mbarë shqipes e, rrjedhimisht, edhe shqipes letrare të kohës.

    Me leksikun ai provoi mendimin e njohur se sa e pasur është një gjuhë e sa të pasura janë dialektet e saj mund të shpaloset vetëm përmes bartësve të saj, sidomos përmes veprave te shkrimtarëve të mëdhenj. Ai provoi, gjithashtu, se gjithë pasuria leksikore e dialekteve është pasuri e shqipes dhe se shqipja është përfshirëse e përthithëse e jo përjashtuese e kësaj pasurie.

    Gjergj Fishta konsiderohet ndër njohësit e mirë të gjuhës shqipe, i gjuhës popullore dhe i gjuhës artistike, njihet si njohës i shkëlqyeshëm sidomos i leksikut të shqipes, por sidomos i leksikut të së folmes së Shkodrës e i dialektit verior në përgjithësi, në të vërtetë, njihet ndër pasuruesit e mëdhenj të gjuhës shqipe. Me leksikun ai ndoqi rrugën më të frytshme për të përshfaqur temat, motivet, idetë, synimet si shkrimtar e si atdhetar dhe rrugën më të sigurt për të ndihmuar shqipen, për të cilën do të thurë ndër vargjet më frymëzuese që i janë kushtuar asaj:

    Porsi kanga e zogut t’ veres,

    Qi vallzon n’ blerim të Prillit;

    Porsi i ambli flladi i eres,

    Qi lmon gjit e drandofillit:

    Porsi vala e bregut t’ detit.

    Porsi gjama e rrfes zhgjetare,

    Porsi ushtima e njij termetit,

    Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare. (“Mrizi i Zanave, f. 5)

    Duke rimarrë mendimin kritik të shqiptuar për gjuhën e tij që në shkrimet e para për veprën e tij dhe nga ajo që u paraqit më lart, mund të përmblidhnim këtu disa përfundime:

    – kritika ka shquar në mënyrë të veçantë punën e Fishtës me gjuhën, ka shquar gjuhën si njërin ndër përbërësit kryesorë të krijimtarisë së tij letrare-artistike.

    – pjesa më e madhe e kritikës mbi gjuhën e Fishtës sjell vlerësime të larta për gjuhën e tij, posaçërisht për pasurinë leksikore.

    – sipas shumicës së studiuesve, gjuha e Fishtës është thellësisht popullore, e lidhur ngushtësisht me gegërishten veriperëndimore, me idiomën e shkodranishtes dhe të Malësisë së tij të lindjes. Leksiku i veprës së tij mban shenjën e theksuar dialektore veriore, për arsye se përdor shumë elemente gjuhësore krahinore, në të vërtetë në vija të përgjithshme leksiku i tij është leksiku i mbarë shqipes.

    Duke e vlerësuar edhe në këtë studim leksikun e Fishtës si element të tejshquar, shumë origjinal, me vlerë të veçantë dhe me një pjesë të panjohur edhe nga leksikografët e mirë, është parë e arsyeshme që ky leksik të vështrohet posaçërisht në funksion të gjuhës poetike. Gjatë studimit të gjuhës së Fishtës më ka ndodhur jo rrallë të jem e detyruar të shfletoj shumicën e fjalorëve tanë jo vetëm njëgjuhësorë, po edhe fjalorët historikë dhe fjalorët dy e më shumë gjuhësorë, për të gjetur kuptimet shpesh të panjohura të një morie fjalësh dhe kjo nuk më ka ndihmuar në mjaft raste. Sigurisht që shumë nga këto njësi leksikore i kam kuptuar përmes kontekstit, ose përmes kuptimeve që i gjejmë ende në leksikun aktiv të gegërishtes së Kosovës. Madje shumë syresh i kam kuptuar pikërisht nga e folmja popullore e Kosovës, por shumë nga ato do të mbeten të njohura vetëm për Fishtën, sepse edhe në përpjekjet për shpjegimin e tyre nga autorë që kanë botuar fjalor të leksikut të Fishtës, si ai i Tahir Kolgjinit (1) a i autorëve e botuesve të fjalorthëve shoqërues të veprave të Gjergj Fishtës, ato kanë mbetur pa shpjegime përkatëse dhe, rrjedhimisht, të pakuptuara.

    Në përpjekjen për të kuptuar semantikën e shumë njësive leksikore të Fishtës shpesh na është imponuar pyetja nga e ka burimin njohja kaq e thellë e pasurisë leksikore të të folmeve popullore nga ana e tij. Duke shfletuar fjalorët – jo, sepse tradita e leksikografisë sonë dialektore ishte e paktë deri asokohe. Duke shënuar në fletoret e tij fjalët e shprehjet që i ka dëgjuar në kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit – kjo mund të jetë më afër së vërtetës, sepse njohës të jetës së tij na e dëshmojnë se ai ka qenë zelltar i madh e i palodhshëm për të gjurmuar e për të përdorur leksik të moçëm, fjalë, shprehje dhe frazeologji popullore.

    Baza e kureshtjes dhe e dashurisë së madhe të Fishtës për fjalët shqipe sigurisht mund të gjurmohet edhe në formimin e tij që nga fëmijëria në Troshan dhe më pas, në gjeografinë veriore të atdheut. I rritur e i formuar midis së folmes aq karakteristike të vendlindjes së tij, nga e cila çdo ditë ka thithur fjalë e frazeologji popullore, Fishtës nuk i është dashur shumë mund për të dëgjuar e mësuar shumë fjalë e shprehje që lëvrohen e kultivohen vetvetishëm në fshatrat e Zadrimës, në fshatrat përreth Shkodrës dhe në vetë Shkodrën, në burimet e gjuhës së vërtetë popullore. Atij nuk i janë dashur fjalorë, sepse rreth vetes çdo ditë ka dëgjuar ato që leksikografët me aq mund i shënojnë. Edhe fletoret ku supozohet t’i ketë shënuar shumë nga ato, nuk i janë dashur aq, për arsyen se vetë e folmja vetjake ishte fletorja më e gjallë e më e mirë e tij.

    Të paktë janë shkrimtarët që kanë tërhequr vëmendjen që me shkrimet e para të botuara sikundër Fishta. Që në shkrimet e para shquan talenti, mënyra origjinale e shprehjes artistike, shquan gjuha e ligjërimi i tij i veçantë artistik. Përshkrimet e holla, ligjërimi relievor dhe paraqitjet e jetës në gjerësi – shpërthim tingujsh e ngjyrash – gjuhë e gjallë dhe e pasur popullore ku ndihet freskia e idiomave krahinore, fjalia melodike e hapët dhe me ritëm të qëndrueshëm. Në fjalitë dhe periudhat sintaksore përshkohet herë mendimi i hapët si dita, herë mendimi i strukur si vizion i fshehtë. Nuk ka gjuhë dhe frazeologji të tillë në letërsinë shqipe. Ai ka mbizotërim natyror mbi shkrimtarët e tjerë: ai ka pushtet mbi gjuhën. Vepra e tij paraqet pasuri të vërtetë gjuhësore, të njohur e të panjohur. Pasuria e fjalorit vepron si zbulim i ri i gjuhës dhe jo vetëm në kuptimin e letërsisë, por edhe në kuptimin filologjik në përgjithësi. Aq pasuri sa s’mund të lexohet pa fjalor edhe nga gegëfolësit e ngritur gjuhësisht.

    Fishta ka arritur më shumë se tjetërkush në letërsinë e kohës që në shprehjen letrare, në gjuhën dhe në stilin, në mprehtësinë e fjalisë, në intensitetin e brendshëm të strukturës artistike të sjellë shpirtin e gjallë të njeriut shqiptar përmes gjuhës, përmes fjalës së tij.

    PASURIA LEKSIKORE SI SHENJË DALLUESE

    Po e rithemi se secili studiues që i është rrekur ose që do t’i rreket studimit të gjuhës së Fishtës do të hetojë pa më të voglin mund se pasuria leksikore është shenja më dalluese dhe më mbresëlënëse e veprës së tij.

    Brenda kësaj pasurie shquan leksiku i përgjithshëm i shqipes së dy krahëve dialektorë dhe, posaçërisht, leksiku dialektor i Veriut shqiptar. Por, në gjuhën e tij rol tejet të rëndësishëm kanë sidomos arkaizmat e historizmat, si edhe shtresat e tjera leksikore të shqipes, si huazimet, neologjizmat e, sidomos, leksiku poetik e leksiku fetar.

    Po kështu, brenda kësaj pasurie shquan sidomos semantika shumë e gjerë leksikore, nisur me poliseminë e sinoniminë e deri te antonimia e paronimia. Pasuria e larmia e sinonimisë gramatikore, e sinonimisë leksikore, e sinonimisë frazeologjike dhe e asaj sintaksore, pastaj pasuria e antonimisë gramatikore, e antonimisë leksikore, e antonimisë frazeologjike dhe asaj sintaksore, si dhe paronimia e zhvilluar leksikore, bëjnë që semantika leksikore e Fishtës të çmohet sa edhe pasuria leksikore e tij. Por, ato që duhet të theksohen patjetër në këtë kontekst, janë raportet që krijohen midis këtyre dukurive semantike si dhe raportet leksiko-sintagmatike në përgjithësi.

    Një aspekt tjetër i rëndësishëm i pasurisë gjuhësore të Fishtës në rrafshin leksikor është pasuria e madhe togfjalëshore e frazeologjike – njësitë frazeologjike. Gjuha e Fishtës më mirë se e kujtdo tjetër prej bashkëkohësve të tij, zbulon pasurinë e zhdërvjelltësinë e shqipes në përgjithësi e të gegërishtes në veçanti.

    Pasuria në rrafshin e fjalëformimit, përkatësisht pasuria që shprehet në rrafshin e mundësive e të mjeteve të shqipes, në krijimin e fjalëve të prejardhura, të fjalëve me parashtesim, të fjalëve me prapashtesim, të fjalëve me paranyjëzim e deri te kompozitat popullore, shpërfaq një zgjerim të ndjeshëm në gjuhën e Fishtës. Në këtë kontekst duhet të vështrohen edhe formulat e qëndrueshme gjuhësore: mallkimet, urimet, përshëndetjet, vajtimet; proverbat, sentencat e filozofia popullore.

    Në ndarjen që vijon, do të përpiqem të zbuloj cila është kjo pasuri që na sjell vepra artistike e Gjergj Fishtës përmes funksionit të saj poetik, në të vërtetë përmes aktualizimit të saj estetik.

    (Fragment nga vepra studimore e Shefkije Islamajt ““Gjergj Fishta – gjuha dhe stili” I, II, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012”)

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark