×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Veprimi i Listës Serbë që shqetësoi SHBA-në e BE-në

    Insajderi
    09 April 2024 - 08:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të zhgënjyer me thirrjet që të bojkotohet procesi i votimit në veri.

    Nga Ambasada Amerikanë në Prishtinë kanë komentuar thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Sipas ambasadës, siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ata besojnë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës kanë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.

    “Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për tërheqjen e kryetarëve”, thotë ambasada.

    Sipas ambasadës, pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë dhe se votimi është një liri kritike e shoqëritë demokratike.

    “Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së.

    Zhgënjim ka shprehur edhe BE-ja. Blloku evropian ka shprehur keqardhje edhe për thirrjen që serbët të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

    “Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    Blloku evropian tha se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, “me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte”.

    “Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”, tha BE-ja.

    Një qytetare në Mitrovicë të Veriut duke nënshkruar peticionin për nisjen e procesit të largimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës. 17 janar 2024.

    BE-ja tha po ashtu se që kur serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës nëntorin e vitit 2022, blloku evropian me partnerët e tij është angazhuar që serbët e Kosovës të kthehen në institucione.

    “Është imperative që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësorë në veri të Kosovës”, u tha në reagim.

    Anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje të hënën, ka konfirmuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    “Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe”, tha për zëdhënësin e media në KQZ, Valmir Elezi.

    Ai shtoi se në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-ja administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

    Zyrtarët e Listës Serbe ishin emëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 18 mars të këtij viti, e më 21 prill do të votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark