×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Viti i grabitjeve të armatosura – Si ua humbi guximin hajnave Policia e Kosovës?

    Insajderi
    02 January 2024 - 13:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Viti 2023 është karakterizuar me grabitje të armatosura. Në shënjestër të ‘maskave’ kanë qenë argjendaritë, filialet bankare, këmbimoret, pompat e derivateve të naftës, marketet, shtëpitë private dhe kalimtarët e rastit. U vodhën para të shumta, ari e gjëra të tjera me vlerë. Por, edhe grabitësit përfunduan në pranga, raporton Insajderi.

    Grabitja e armatosur në argjendarin “Diakos 2 në Suharekë

    22 nëntor 2023 | Njëra nga grabitjet që bëri më së shumti bujë ishte ajo në argjendarinë “Diakos 2” në Suharekë. Katër persona të armatosur pasi grabitën argjendarinë kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, ku një polic u plagos në këmbë.

    Me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur në konfrontim. Si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, një zyrtar policor ka marrë plagë në këmbë nga një plumb. Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisën”, kishte njoftuar policia.

    Shuma e arit të grabitur konsiderohet të jetë 250 mijë euro. Të paktën kështu u bë e ditur nga prokurorja Ervehe Gashi.

    Ndërkaq, drejtori i Policisë në Prizren, Faton Aliu ka thënë se të dyshuarit kanë pasur armë të gjata me vete, një veturë hiri që rezulton të jetë e vjedhur në Prishtinë.

    Janë katër persona të dyshuar që ishin të pajisur me arma të gjata, vetura ngjyrë hiri, me targa 01, që ka rezultuar e vjedhur diku në Prishtinë. Nuk kemi identitet të tyre ende”, deklaroi ai.

    Gjykata Themelore në Prizren ua kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, katër të dyshuarve për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.

    Sipas njoftimit, të pandehurit B.B., B.I., dhe L.C., dyshohen për veprën penale “Grabitja”,  ndërsa T.B., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Për të njëjtin rast, Prokuroria Themelore në Prizren iu kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji edhe të pandehurve F.T., dhe A.B. për shkak të dyshimit të bazuar se kishin kryer veprën penale dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

    Megjithatë, ende nuk është arrestuar Korab Zeqir Gashit, i cili dyshohet për rastin e grabitjes së armatosur në argjendarinë në Suharekë dhe plagosjes së zyrtarit policor.

    Në njoftimin për media thuhet se ai është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër arresti nga organet e drejtësisë.

    Grabitja e armatosur në këmbimoren e kriptovalutave “ExCoins” në Prishtinë

    18 dhjetor 2023 | Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një këmbimore në lagjen Tophane në Prishtinë.

    Mbi 40 mijë euro dyshohet se janë grabitur në këmbimoren e kriptovalutave “ExCoins” në lagjen “Tophane” në Prishtinë. Kështu kishte bërë të ditur pronari i këmbimores “ExCoins”, Valton Isufi.

    Grabitja e armatosur në një bankomat në Ferizaj

    3 nëntor 2023 | Rreth orës 04:50 të 3 nëntorit, në rrugën kryesore Ferizaj-Prishtinë, afër karburantit “Hib Petraol”, ka ndodhur një grabitje me armë në bankomatet që ndodhen aty.

    Policia e Kosovës e ka cilësuar si vrasje në tentativë, ku të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, ku vetura zyrtare është qëlluar disa herë dyshohet nga arma AK 47.

    Sipas Policisë, edhe pse veturat zyrtare u dëmtuan në masë të madhe, dy policët që ishin brenda saj kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim.

    Policia njoftoi se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare ” Superviva” në Ferizaj.

    Grabitja e armatosur në filialin e BKT’së në Prishtinë

    1 shtator 2023 | Një grabitje ka ndodhur në pikën e Bankës Kombëtarë Tregtare (BKT) në qendër të Prishtinës. Policia e Kosovës kishte arrestuar një person të dyshuar për rastin.

    Grabitja e armatosur në një pompë të derivateve në Kaçanik

    26 tetor 2023 | Një grabitje e armatosur ka ndodhur edhe në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, në hyrje të Kaçanikut në një pikë karburanti. Të dyshuarit kanë grabitur një shumë të caktuar të parave.

    “Një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit me pushkë automatike, ka arritur të grabisë një shumë të caktuar të të hollave dhe të largohet këmbë në drejtim të panjohur“, ka njoftuar policia.

    Të arrestuarit janë A.Ç, 22 vjeçar dhe K.Ç, 21 vjeçar. Policia ka bastisur dy lokacione të dy personave të dyshuar dhe aty kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar

    3 armë të zjarrit , 2 pushkë automatike dhe një pistoletë, sasi e municionit , karikatorë, një radiolidhje, sasi e narkotikëve, një shufër metalelike, dorëza , maskë ,telefona, me të cilat dyshohet se është kryer grabitja”, thuhet në njoftim.

    Grabitje e armatosur në Vushtrri

    3 dhjetor 2023 | Një grabitje e armatosur ka ndodhur edhe në qytetin e Vushtrrisë pak javë më parë. Dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës e kishin sulmuar fizikisht, ia kishin marr telefonin dhe kuletën një qytetari.

    Viktima mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të panjohur, të maskuar nën kërcënimin e armës e kishin sulmuar fizikisht dhe ia kishin marr telefonin celular dhe kuletën në të cilën kishte pasur dokumente personale dhe para të gatshme”, kishte njoftuar policia.

    Ndryshe, rastet e mësipërme janë vetëm pak nga ato që kanë ndodhur gjatë tërë vitit. Grabitje të armatosura kanë ndodhur pothuajse në çdo pjesë të vendit përgjatë 2023’ës.

    Gazeta Insajderi ka pyetur Policinë e Kosovës për statistikat e sakta të rasteve të grabitjes, por, të njëjtit kanë thënë se raporti me statistika do të publikohet në janar të 2024’ës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark