×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vjedhja e votave – Prokuroria Speciale mbyllë hetimet kundër Meliza Haradinaj-Stublla

    Insajderi
    30 December 2022 - 12:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet ndaj ish-kandidates për deputete nga radhës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, për zgjedhjet e vitit 2021.

    Prokuroria ka njoftuar se në mungesë të provave rasti është mbyllur.

    “…nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.

    Hetimet sipas prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete Meliza Haradinaj-Stublla.

    Në muajin mars të 2021-ës, Gazeta Insajderi sjelli një video ekskluzive përmes të cilës zbulohej se si afaristi Dardan Stublla, kishte blerë me para katër komisionerë, të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar Meliza Haradinajt-Stublla.

    I infiltruari në grup, i cili e ka incizuar bisedën ka ofruar para rrejshëm shumë më shumë sesa Stublla, për të zbuluar të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë hedhë dyshime të mëdha se si ministrja e Jashtme dhe e Diasporës bëhet deputete pa i pasur votat e mjaftueshme.

    Kësisoj, paratë dhe përfshirja e Dardan Stubllës kanë qenë faktori kyç që Meliza Haradinaj-Stublla figuron në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

    Përgjimi ekskluziv, të cilin e kishte siguruar Gazeta Insajderi, nxorri në pah dëshminë e komisionerit Arbër Krasniqi që deklaronte se është paguar nga Dardan Stublla. Thoshte se paratë i kishte pranuar me një qëllim të vetëm: manipulimin e votave në favor të kryediplomates në largim.

    Pas skandalit me vota, Meliza Haradinaj-Stublla u largua përfundimisht nga AAK

    Meliza Haradinaj-Stublla dha dorëheqje nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas skandalit lidhur me votat në zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj-Stublla shkruante se nuk ndjen përgjegjësi për akuzat për manipulim votash, por se e ka marrë këtë vendim për shkaqe morale.

    Në postimin e saj, Haradinaj-Stublla kërkonte që Prokuroria të ndriçojë sa më parë rastin.

    Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:

    Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.

    Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi.

    Nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë! Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda.

    Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar.

    Siç kam kërkuar edhe më herët, RIPËRSËRIS që në interval sa më të shkurtër kohor, Prokuroria e Shtetit të ndriçojë para së gjithash vërtetësinë e video-inskenimit të plasuar në mënyrë të dyshimtë në pseudo-portale dhe faktimin e vërtetësisë së të gjitha pretendimeve që implikojnë familjen time dhe mua.

    Kjo ka rëndësi jetike meqë akoma është i panjohur autenticiteti i kësaj videoje, koha kur kjo bisedë është zhvilluar, identiteti i personave pjesëmarrës në të dhe gama e dëmtimit që kanë shkaktuar. Madje, tashmë jemi në kërkim të ekspertëve ndërkombëtar për dhënien e opinionit të tyre profesional rreth autenticitetit të saj!

    Përkundër Stublla-Haradinajt, Prokuroria Speciale ngrite aktakuzë ndaj 7 personave, në mesin e tyre ish-deputetit të AAK-së, Haxhi Shala për mashtrim me tri vota.

    “Në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark