Ermira Vllasaliu-Ratkoceri, kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se dëshiron një vend më të mirë për fëmijët e Kosovës, dhe se për këtë ka thënë se është garanci AAK-ja.
Ajo ka thënë se vetëm AAK-ja ka një plan të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e cilësisë në arsim.
Vllasaliu-Ratkoceri, në fjalimin e saj përmbyllës në tubimin e AAK-së në Prishtinë të premten, ka shprehur shqetësim për migrimin e të rinjve kosovarë në vendet evropiane.
“Unë dua që Kosova të jetë një vend ku fëmijët e mi të kenë mundësi arsimimi më të mirë. Dua që ata të kenë mundësi që të punojnë këtu, në vendin e tyre, por edhe në ndonjë vend evropian. Por, unë nuk dua që ata të detyrohen të largohen nga shtëpia e tyre, sepse nuk e gjetën mundësinë këtu, siç u desh të largohen mijëra të rinj në këto 20 vitet e fundit”, ka deklaruar ajo.
Vllasaliu-Ratkoceri mban numrin 79 në listën e AAK-së për deputetë. /Insajderi.org