×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Vrasësi Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori i tij Arbër Sejdiu pritet të ballafaqohen sërish në gjykatë me familjen e Marigona Osmanit

    Insajderi
    13 December 2023 - 12:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Prishtinë në muajin gusht të këtij viti e dënoi me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim. Vendimi i Themelores është dërguar në shkallën e dytë, përkatësisht në Gjykatën e Apelit.

    Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu pritet të kenë sërish një ballafaqim me familjen Osmani. Seanca siç mëson Insajderi, do të mbahet me 11 janar të 2024-ës.

    “Njoftoheni që me datë 11.01.2024, në ora 10:00 në Gjykatën e Apelit-Pallati i Drejtësisë në Hajvali, objekti 11D, është caktuar seanca e kolegjit në çështjen penale kundër të akuzuarit Dardan Krivaça për shkak të veprës penale dhunim nga neni 227 par.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së) dhe veprës penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 dhe 1.4 të KPRK-së, si dhe kundër të akuzuarit Arbër Sejdiu për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga neni 227 par.4 nënpar. 4.1 lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj- Departamenti për Krime të Rënda, mbrojtësit të akuzuarit Dardan Krivaça, av. Admir Salihu, mbrojtësve të akuzuarit Arbër Sejdiu, av. Arbnora Shefkiu dhe av. Avni Ibrahimi, si dhe përfaqësuesit të palëve të dëmtuara Muhabi dhe Valdete Osmani, av. Gazmend Rexhepi, të ushtruara kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2022:132923 i datës 04.08.2023”, thuhet në njoftimin të cilin e ka siguruar Insajderi.

    Theksohet se “mosardhja e palëve të njoftuara me rregull, nuk e pengon mbajtjen e seancës”.

    Ditë më parë familjarët e të ndjerës kanë deklaruar se familja e tyre është duke u kërcënuar vazhdimisht nga Dardan Krivaça ani pse i njëjti ndodhet në burg.

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sediu janë dënuar për vrasje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e vrasjes, ndërkaq janë liruar nga akuza për dhunim dhe akuza për ndihmë në kryerjen e veprës penale “dhunimi”./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark