Vrasja e Hamide Magashit nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë ka dridhur themelet e çdo institucioni publik që ishte përgjegjës.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta brenda Gjinekologjisë, se Inspektorati Shëndetësor tashmë ka nisur hetimet brenda kësaj klinike.
Këto burime i thanë Gazetës se dje gjatë ditës Inspektorati ka zbarkuar në klinikën e Gjinekologjisë. Ata kanë marrë deklaratat e ekipit kujdestar që kanë qenë në ndërrim natën që u vra Hamide Magashi.
Burimet tregojnë se Inspektorati Shëndetësor ka qenë i pranishëm në Klinikë edhe një ditë pas vrasjes, ditën e enjte.
“Inspektorati Shëndetësor kanë qenë dje dhe pardje, ata kanë marrë deklaratat nga ekipi kujdestar që ka qenë atë natë në ndërrim”, thotë ky burim për Insajderin.
Rasti i fundit makabër që ndodhi ka bërë që ky dikaster të kryqëzohet edhe më shumë për jotransparencë dhe papërgjegjësi.
Hamide Magashi, një 35 vjeçare shtatzëne në muajin e nëntë u vra mizorisht nga ish-burri i saj para dyerve të Klinikes së Gjinekologjisë, në QKUK.
Një ‘urdhër’ i prerë ndërpriti çdo formë komunikimi apo transparence me udhëheqësit e këtij dikasteri, e që kishte të bënte me tragjedinë që ndodhi brenda institucioni publik.
Që nga drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj i cili tash e më shumë se 30 ora nga ngjarja nuk ka nxjerr asnjë reagim lidhur me vrasjen që ndodhi para klinikes që ai udhëheq.
Kurse, ud drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci dhe ud ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dje në mbledhjen e komisionit parlamentar të Shëndetësisë zgjodhën heshtjen kur u pyetën për dorëheqjen morale dhe përgjegjësi.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtori e Gjinekologjisë që nga dita kur ndodhi rasti tragjik por i njëjtit nuk nuk u përgjigj asnjëherë deri më tani.
Po ashtu, Gazeta ka pyetur ShSKUK-së lidhur me intervenimin e mjekëve për shpëtimin e foshnjës nga nëna e vrarë, por të njëjtit që nga dje nuk ka kthyer përgjigje.
Përveç kësaj as mjekë dhe infermierë në Klinikën e Gjinekologjisë nuk kanë pranuar të flasin për Insajderi, pavarësisht insistimit gjatë këtyre dy ditësh.
Po ashtu, sot Inspektorati Policor ka rekomandon suspendimin Naser Sinanit, komandantit të këtij stacioni. Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.
“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues)”, thuhet në njoftimin e IKP, shkruan Gazeta Insajderi.
Kronologjia e vrasjes mizore të Hamide Magashi
Një grua e re 35 vjeçare me foshnjën e saj që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre dy ditësh, u vra nga ish-burri i saj, para Gjinekologjisë.
E ndjera e kishte denoncuar për dhunë ish-burrin dhe ishte në proces divorci derisa ndaj vrasësit të saj ishte ngritur aktakuzë për “Kanosje”, kishte edhe një urdhër gjykate të mos i afrohej asaj.
Ishte kapur edhe me armë zjarri, por Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi vetëm me gjobë. Por, përkundë të gjitha këtyre, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë, aq sa të thyente urdhrin e gjykatës e me armë zjarri, brenda hapësirës së një institucioni tjetër shtetëror – QKUK – të merrte dy jetë lehtësisht
Vrasjet më të rënda të grave në Kosovë nga bashkëshortët e tyre, e kanë një të përbashkët të hidhur. Për kërcënimet, dhunën psikike e fizike, është i njoftuar zyrtarisht edhe shteti. Respektivisht policia, prokuroria e gjykata.
Edhe në rastin e mbrëmshëm vrasësi Sokol Halili, ishte person i njohur për këto tri hallka të drejtësisë.
Ish-bashkëshortja e tij, tani e ndjera Hamide Magashi e kishte denoncuar Halilin në polici për dhunën që e ushtronte ai. Këtë e ka bërë para disa muajsh, shkruan Gazeta Insajderi.
Dhunën ndaj tashmë të ndjerës e kanë konfirmuar edhe familjarë të saj. Motra dhe dhëndri i saj, nga QKUK-ja aty ku edhe ndodhi krimi makabër deklaruan se e ndjera ka katër muaj që është ndarë nga vrasësi pasi ai ushtronte dhunë ndaj 35 vjeçares. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatzënisë dhe brenda dy ditësh pritej ta kryente lindjen.
Lidhur me denoncimin e saj në polici, prokuroria Themelore e Ferizajt, kishte nisur hetimet. Me 10 gusht ajo e ngriti aktakuzën.
Ky institucion e ngarkonte Halilin me veprën penale “Kanosje”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.
Halili, në seancën e parë që është mbajtur për këtë rast me kishte kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se nuk e pranon fajësinë për veprën penale.
“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”
Gjykata me datë 18 nëntor ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Pas një muaji, nga ngritja e aktakuzës, zyrtarisht u kërkuar edhe urdhër mbrojtje ndaj 35 vjeçares Hamide Magashi. Këtë e bëri Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj.
“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në konfirmimin e gjykatës.
Me 13 shtator, gjykata lëshoi vendimin për udhërmbrojtje. Rrjedhimisht ish-bashkëshorti Sokol Halili, nuk do të guxonte t`i afrohej ish-bashkëshortes me të cilën sipas familjarëve ishte në proces divorci.
Sipas këtij vendimi, Hamide Magashi ishte në mbrojtje të shtetit për gjashtë muaj. Urdhëri i gjykatës do të duhej të zbatohej nga policia e Kosovës.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022”.
“Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, thuhet më tej në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.
Brenda periudhës gjashtë mujore sa ishte në fuqi urdhëri për mbrojtjen e Hamide Magashit, edhe një zhvillim tjetër kishte ndodhur në organet e drejtësisë.
Sokol Haliti, që ishte kapur nga Policia e Kosovës me armë të zjarrit, shpëtoi lehtësisht edhe përkundër që kishte aktakuzë për kanosjen e bashkëshortes dhe urdhër të prerë që të mos i afrohej.
Gjykata i dha vetëm dënim me gjobë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në konfirmimin nga gjykata.
Gjatë krejt kësaj periudhe prej muajit gusht e deri natën kritike, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga paraburgimi.
Halili e vrau ish-gruan dhe foshnje që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre ditësh, por u largua pa arritur të kapej nga Policia. Ndodhet në arrati edhe pas gati 20 orësh prej kur kreu vrasjet. Derisa trupi i Hamide Megashit ndodhet në Institutit të Mjekësisë Ligjore për Obduksion. /Gazeta Insajderi
Lexo edhe: