Gazeta Insajderi ka konfirmuar që dy shtetaset shqiptare që ishin arrestuar e paraburgosur në lidhje me zhdukjen e biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti janë liruar nga paraburgimi. Prokuroria tash është në kërkim të një të dyshuari. Dihet që ai njihet si “Agushi” nga Haraqina e Maqedonisë. Insajderi sjell detaje ekskluzive.
Gazeta Insajderi
Për disa javë qëndruan në paraburgim si të dyshuarat kryesore në lidhje me zhdukjen e biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti. Por, ditë më parë dy shtetaset shqiptare Silvana Dulellari dhe Marinela Markoviç janë liruar nga paraburgimi.
Ato dyshohej se ishin personat e fundit që e panë të gjallë Hamitin, i cili më vonë u gjet i vdekur në një bodrum të një kompleksi banesor në Gjilan.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me avokaten e Marinela Markoviç, Zanit Leka-Ademi e cila ka konfirmuar lirimin e klientës së saj.
“Siç kam thënë prej fillimit, klientja ime ka qenë e pafajshme në këtë ngjarje. Po për këtë kam bërë edhe ankesë në Gjykatën e Apelit, duke ua shpjeguar rrethanat se mungonin provat që të mbahej në paraburgim zonja Markoviç. Si do që të jetë, tash është vërtetuar ajo që e kam thënë, që klientja ime nuk ka pasur asgjë të bënte me zhdukjen e zotëri Hamitit”, ka thënë për Insajderin avokatja Leka-Ademi.
Ajo ka treguar se klientja e saj ka qenë e kërcënuar, dhe kjo ka qenë edhe arsyeja se prej fillimit ka hezituar ta tregoi krejt të vërtetën.
“Zonja Markoviç ka qenë e kërcënuar. Ka edhe prova tash Prokuroria për këtë. Madje ajo nuk ka qenë vetëm personalisht, por është kërcënuar edhe me familjarë të saj”, ka thënë për Insajderin avokatja Leka-Ademi.
Prokuroria me një të dyshuar tjetër – kush është “Agushi” nga Haraqina?
Gazeta Insajderi merr vesh që pas lirimit të Silvana Dulellarit dhe Marinela Markoviç, Prokuroria Themelore në Gjilan ka një të dyshuar tjetër që është i përfshirë në rrëmbim, dhe me gjasë edhe në vrasje të biznesmenit gjilanas, Musah Hamiti.
“Agushi” nga Haraqina e Maqedonisë. Ky është informacioni që deri tash e di Prokuroria për këtë person.
Siç merr vesh Gazeta Insajderi ky është personi që edhe kishte kërcënuar Marinela Markoviçin në vendin e saj të punës, ku ia kishte përmendur edhe familjarët e saj, duke i kërkuar që ajo ti jepte informacione për lëvizjet e tashmë të ndjerit Hamiti.
“Kemi një çështje të vjetër pa e zgjidhur, dhe prandaj dua ta takoj”, ky kishte qenë arsyetimi pse “Agushi” nga Haraqina po e kërkonte Musah Hamitin.
“Më datë 07.01.2024, gjersa kam qenë duke punuar tek lokali i…., aty kanë ardhur persona nga Haraqina e Maqedonisë, të cilët i kam njohur që nga koha kur kam punuar një vit më pa tek …. Njëri prej tyre quhet Agush, ndërsa personi tjetër ka qenë vozitës taksie. Ata të dytë janë ul me mua kanë pirë nga një pije. I cili më ka thënë se nëse ti nuk bashkëpunon me mua, pasojat do ti ke shumë të mëdha, që unë ti tregojë kur vjen Musahu, ku shkon ku qëndron dhe ka lëviz. Unë i kam thënë se nuk mund tregojë asgjë, ai më ka kërcënuar se në rast se nuk bashkëpunojë do të kenë pasoja …dhe motra … e cila në ato momente ka qenë duke banua tek unë. I njëjti person me ka thënë Musahu ka me ardhur me një shumë të madhe të pareve., dhe qëllimi im është që ai të takohej me të”, kishte deklaruar para hetuesve Markoviç.
Sipas deklaratës së saj “personi që e ka rrëmbyer Musahun është Agushi nga Maqedonia, i cili është i moshës rreth 50 vjeçare”, derisa deklarimet e tjera me përfshirjen e një taksisti dhe bashkëbanueses së saj, ishin deklarata që i ka dhënë e frikësuar nga kërcënimet.
“…unë e kam sajuar këtë rrëfim nga frika prej atij personit nga Maqedonia”, iu kishte thënë hetuesve ajo.
Ajo ishte pyetur edhe se a ishte në dijeni se “Agushi” nga Haraqina e ka kidnapuar biznesmenin gjilanas, Musah Hamiti. Ajo thotë se nuk e kishte parë, por e kishte kuptuar ndryshe këtë.
“Jo, unë nuk e kam parë që i njëjti është takuar me Musahun, por përmes komunikimeve me audio- incizim në Whatsapp, i njëjti më ka thënë; „Unë ja kom arrit qëllimit e ti bon çka dush” dhe ma ka ndërprerë linjën. Mandej unë për këtë arsye kam shkuar në postë e kam blerë një numër të ri…., dhe kam tentuar komunikimin me të, por ai numër ka qenë i bllokuar nuk më ka lejuar të komunikojë”, ka deklaruar Markoviç para hetuesve, ku edhe iu ka dhënë kontaktet e “Agushit”, që ajo i ka pasur në dispozicion.
Hetuesit e kishin pyetur edhe se a mund ta përshkruante fizikun e personit me emrin “Agushi”, si dhe moshën e tij.
“Agushi është me trup i gjatë, është pak i shëndosh dhe mund të jetë i moshës rreth 50 vjeçare”, kishte rrëfyer para hetuesve Markoviç.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast, ku biznesmeni Musah Hamiti fillimisht ishte deklaruar i zhdukur, dhe pas disa javësh edhe u gjet i vdekur në bodrumin e një kompleksi banesor në Gjilan. /GazetaInsajderi