
Gjykata e Apelit ka caktuar një seancë javën e ardhshme, më 14 maj 2025, për të shqyrtuar ankesat e familjarëve të viktimës Haxhi Ahmeti e Prokurorisë, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë që qe pati liruar nga akuza shtetasin e Shqipërisë, Dodë Gjikolaj.
Ai akuzohet se me eksplozivë pati privuar nga jeta viktimën, Haxhi Ahmeti.
Kryetar i trupit Gjykues që mori vendimin për ta liruar Gjikolën nga akuza, ishte Ilir Rashkaj.
Gazeta Insajderi merr vesh që për këtë rast, për të marrë vendimin nëse hapi që mori trupi gjykues i kryesuar nga Rashkaj ishte i drejt, apo duhet të kthej çështja në ri-gjykim, Apeli ka thirr në seancë përfaqësuesit e familjes së tashmë viktimës Haxhi Ahmeti, avokatin e tyre, por po ashtu edhe vetë Dodë Gjikolajn, dhe avokatin e tij, shkruan Insajderi.
Nuk duhet nëse Dodë Gjikolaj do të prezantojë në këtë seancë që të mërkurën, që nis nga ora 10:35 në objektin e Gjykatës së Apelit në Pallatin e Drejtësisë.
Gazeta Insajderi në vazhdimësi pati raportuar për këtë rast.
Ka publikuar edhe intervista me familjarë të viktimës, të cilët që në proces patën ngritur dyshime që shkonin edhe në drejtim të kryetarit të trupit gjykues atëherë, Ilir Rashkaj.
Sipas aktakuzës, të përpiluar me datë 5 gusht të vitit 2022, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Dod Gjikolaj, akuzohej se me datën 14 tetor të vitit 2018, në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës, ka privuar nga jeta të Haxhi Ahmetin, shkruan Gazeta Insajderi.
Dod Gjikolaj, sipas Prokurorisë, atë e kishte bërë në atë mënyrë që në ditën kritike, kishte vendosur një material eksploziv, në shtyllën e dyerve të oborrit të shtëpisë së tani të ndjerit, në momentin kur i ndjeri rreth orës 08:02 minuta, del nga dyert e oborrit, pikërisht kur tenton t’i mbyll dyert e oborrit, i pandehuri nga një largësi e panjohur, përmes teledirigjimit e aktivizon materialin eksploziv, ku me këtë rast mbetet i vdekur në vend, Ahmeti, dhe lëndime trupore merr i dëmtuari A.K.
Ku me këtë rast, sipas aktakuzës, ai akuzohej se ka kishte kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 paragrafi 1pika 1.5 e KP-së.
I njëjti akuzohej edhe për veprën penale të posedimit të pa autorizuar të materialit eksploziv, të tipit, dhe të natyrës së panjohur me nenin 374 paragrafi 1 të KP-së.
Në mars 2024 Gjykata Themelore në Gjakovë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Dodë Gjikolaj.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njoftoi se trupi gjykues, pas mbajtjes së 16 seancave gjyqësore, dëgjimit të 10 dëshmitarëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave personale dhe materiale, këqyrjes dhe rikonstruksionit të vendit të ngjarjes, si dhe analizimin e 3 ekspertizave, 2 vendore dhe 1 ndërkombëtare (nga Instituti i Forenzikës së Cyrihut në Zvicër), kishte ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë. /Gazeta Insajderi