×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Vuçiq pas takimit me Escobarin: Zhvillova bisedë të hapur dhe korrekte 

    Insajderi
    15 March 2023 - 19:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte” me të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar më 15 mars nisi vizitën e tij në Serbi, ku përveç Vuçiqit, do të takohet edhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

    “Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

    Në takim, siç thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë, është diskutuar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe “mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve kompromisi dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

    “Presidenti Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, u tha në komunikatë.

    Vuçiq, sipas Presidencës serbe, ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen që i jep dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe për angazhimin kur është fjala për sigurinë dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe formimin e Asociacionit.

    Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Beograd vjen dy ditë para rundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.

    Pas Serbisë, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Escobar pritet ta vizitojë edhe Kosovën.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi “është marrëveshja më e mirë në dispozicion” që do të çojë në njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark