Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë të enjten se komisioni ndërkombëtar për demarkacionin ka shfrytëzuar të njëjtat harta sikurse komisioni qeveritar, andaj sipas tij, kjo është arsyeja se pse rezultatet e këtij komisioni ad-hoc përputhen me atë të Qeverisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, Konjufca po ashtu është ankuar se në komisionin e thirrur nga Presidentja në largim e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka pasur asnjë shqiptar.
“Vërejtja jonë ka qenë se nuk ka qenë as një ekspert shqiptar sepse ata më se miri e dinë se ku ka qenë kufiri. Një fakt që tregon se sa joprofesional ka qenë ky komisioni është se ata kanë përshëndetur demarkacionin ne Shqiperinë megjithatë një demarkacion i tillë asnjë herë nuk ka ndodhur”, ka theksuar Konjufca.
“Është e papranueshme që një komision prej tre vetash duke pasur qindra materiale e harta të ndryshme të arrijë të përfundojë këtë punë për hiç më pak se 15 ditë. Ata kanë ardhur të ja dhënë një legjitimitet vendimit të Qeverisë”, tha Konjufca.
Në këtë konferencë është shpalosur edhe një hartë e vitit 1998 me autor Murat Mehën, që sipas Konjufcës, përcaktimi kufitar është në rregull. Por, sipas tij, e njëjta nuk është përdorur kur është vendosur demarkacioni.
“Pra, ateherë kur Murat Meha ishte studiues, i bënte hartat objektive dhe kufijtë e saktë, kurse tash që është shërbëtor i kompromiseve të pushtetit, shkel mbi vetë punën e tij shkencore, vetëm e vetëm që t’i justifikojë hektarët që Hashim Thaçi ia fali Malit të Zi”, shtoi ai./Insajderi.com