Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka zbuluar se sulmuesi brazilian Vitor Roque mund të mbërrijë në klub gjatë afatit kalimtar të dimrit, përkundër lëndimit të tij dhe vështirësive financiare të klubit katalan.
Roque u largua nga fusha e lojës me lot gjatë ndeshjes së fundit për Athletico Paranaensen dhe pritet të jetë jashtë fushave për të paktën dy muaj, edhe pse mendohet që ai do mungojë edhe më gjatë.
Xavi Hernandez tha para gazetarëve se Roque nuk ka nevojë ti nënshtrohet operacionit.
“Mundësia që ai të vije në janar është ende aty. Ai nuk do ti nënshtrohet operacionit, por do ti nënshtrohet një trajtimi të veçantë në mënyrë që të rikuperohet plotësisht. Ne jemi në kontakt me Athletico Paranaensen”, ka thënë Xavi.
Tekniku spanjoll u shfaq shumë i sigurtë në fjalët e tij kur tha se Roque do ti bashkohet ekipit pa përfunduar sezoni.
Sidoqoftë, drejtori sportive Deco ka hedhur poshtë këto shpresa duke parë limitin e pagave që La Liga ka vendosur për klubin katalan këtë sezon, andaj do të duhej që Barcelona fillimisht të bëntë një shitje para se të mendojë për Roquen.
Qëndrimi i Xavit në anën tjetër është i kuptueshëm. Ai ka në dispozicionin e tij vetëm 35-vjeçarin Robert Lewandowski të cilit nuk mund ti jap pushim gjatë sezonit, pikërisht për shkak të mungesës së një opsioni rezervë.
Përndryshe, polaku e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri, duke shënuar pesë herë në gjashtë paraqitje në La Liga teksa ka edhe një gol të shënuar në Ligën e Kampionëve.