Situata te klubi i Gjilanit sa shkon e rëndohet, derisa shumë futbollistë kanë kërkuar largimin pas përfundimit të stinorit vjeshtor.
Derisa futbollistëve të huaj u është dhënë leja nga FIFA, vendorët ende vazhdojnë të presin.
FrontOnline mëson nga burime brenda klubit se pas ankesës në Federatën e Futbollit të Kosovës, futbollistët vendorë që duan largimin, kanë marrë një afat deri më 10 janar.
E gjithë kjo situatë u krijua pas largimit të presidentit Florim Zuka nga pozita e të parit në klub.
Problemet financiare sa vinë e shtohen te klubi nga Anamorava.
FrontOnline raporton se momentalisht futbollistët janë në “minus gjashtë paga”, andaj shumica prej tyre e duan largimin.
Përpos futbollistëve, nga klubi tashmë është larguar edhe kryetrajneri Zekirija Ramadani.
Arsyeja? Dihet.
Përkundër problemeve të shumta, Gjilani e mbylli stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në vendin e katërt me 27 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.