×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëdhënësi i qeverisë arsyeton emërimin e xhaxhait të Konjufcës në MB

    Insajderi
    08 April 2021 - 18:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rabit Konjufca, xhaxhai i Glauk Konjufcës është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes pa kaluar tri javë që kur Kurti është ulur në karrigen e shefit të Qeverisë. Një emërim i tillë nga ministri Armend Mehaj vjen edhe përkundër faktit se Albin Kurti dhe Vetëvendosje në vazhdimësinë e luftës për të ardhur pushtet dhe në fushatën para zgjedhjeve të 14 shkurtit kanë thënë se s’do të bëjnë punësime familjare, fjali kjo, e thënë si kritikë për partitë që kanë qeverisur me vendin.

    Ky punësim i xhaxhait të Konjufcës ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik, marrë parasysh se premtimet e Kurtit në fushatë kanë qenë të ndryshme me ato se çfarë po ndodh tash kur ai është në pushtet.

    Kujtojmë se aktualisht ministri Liburn Aliu është duke vazhduar detyrën edhe përkundër faktit se ndaj tij rëndon një aktakuzë gjatë kohës sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës, derisa Qazim Rrahmani ishte detyruar të japë dorëheqje nga pozita e zv.ministrit pasi ishte emëruar nga Kurti, meqë ka qenë i dënuar për keqpërdorim të parasë së shtetit.

    Për këtë më herët gjatë ditës ka reaguar deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli. Ai ka kritikuar mediat pse kanë raportuar për një punësim të tillë, derisa është munduar të arsyetojë punësimin e Rabit Konjufcës, duke thënë se ky i fundit ka njohuri që ndërlidhen më Ministrinë e Mbrojtjes. Në fund të reagimit, Dugolli ka thënë në formë të pyetjes se mos po mendohet se në pozita të tilla do të punësohen njerëzit e PDK-së, LDK-së ose AAK-së.

    Pa reaguar s’ka qëndruar as zëdhënësi i Qeverisë së Albin Kurtit, Përparim Kryeziu. Ai ka thënë se emërimi i Rabit Konjufcës është politik, dhe se është në diskrecion të ministrave të zgjedhin bashkëpunëtorët e tyre që mendojnë dhe besojnë se do t’iu ndihmojnë në përmbushjen e detyrave si ministra.

    “U takon ministrave ta përzgjedhin stafin dhe bashkëpunëtorët e tyre që ata mendojnë se do t’u ndihmojë dhe që i besojnë në kryerjen e detyrave dhe në përmbushjen e zotimeve”, ka shkruar Kryeziu në profilin e tij zyrtar.

    Ndërkohë ai në arsyetimin e këtij punësimi, ka dhënë edhe detaje për shkollimin e Rabit Konjufcës, duke u munduar të tregojë se ky i fundit ka përvojë me punët që do t’i bie të merret në Ministrinë e Mbrojtjes.

     “Kurse, Rabit Konfjuca ka të përfunduar Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së. Ai ka përvojë dhe njohuri në fushën e sigurisë, e cila është e veçantë dhe e vlefshme për shkak se përshkon të gjitha fazat e transformimit të ushtrisë sonë”, ka përfunduar Kryeziu.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark