×
  • Lajme
  • Lajme

    Zëvendësministrat e ministrisë në zhvendosje

    Insajderi
    09 November 2017 - 15:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, do të mbahet mend me numrin më të madh të ministrive, gjithsej 21 ministri, përveç kësaj ajo do të shquhet si një nga qeveritë më zemërhapur për postin e zëvendësministrit.

    Në këtë mandat deri më tanë janë bërë të ditur se do të jenë së paku 58 zëvendësministra.

    Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) e cila udhëhiqet nga Kujtim Gashi, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas vetit ka katër (4), zëvendësministra.

    Burbuqe Bakija – Deva, Resul Makreshi, Biban Stankovic dhe Rexhep Mazrreku.

    Burbuqe Bakija – Deva, e cila vjen nga radhët e partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i tij partiak, i cili është edhe kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka emëruar në postin e zv/ministres së Kulturës.

    Bakija – Deva është magjistër në Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës dhe magjistër i Arkeologjisë në Universitetin e Tiranës.

    Në biografinë e saj në faqen e Ministrisë ajo ka të radhitur një numër të madh të trajnimeve të mbajtura në Kosovë e po ashtu edhe jashtë Kosovës.

    Në AAK Burbuqe Bakija – Deva është nënkryetare e forumit të gruas, shkruan Insajderi.

    Resul Makreshi, i cili i përket komuniteti ashkali vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK), në qeverinë Haradinaj është emëruar në postin e zëvendësministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).

    Makreshi është nga komuna e Fushë Kosovës dhe është ende duke ndjekur studimet e masterit në fushën e Diplomacisë.

    Gjatë viteve 2014 – 2017, Makreshi ka qenë drejtor në organizatën, “Active Development of Society”, Zyrtar i financave dhe Administratës, në organizatën, “Health for All” dhe asistent i financave në organizatën, “Kosovo Forum for Peace”, në Graçanicë.

    Boban Stankovic, po ashtu është emëruar në postin e zëvendësministrit mirëpo që në faqen e ministrisë nuk gjendet si pjesë e kabinetit.

    Pjesë e stafit të zv/ministrave është edhe pjestari i Nsima për Kosovën, Rexhep Mazrreku, biografia e Mazrrekut nuk është në ueb faqen e Ministrisë.

    Mazrreku nuk është hera e parë që mban postin e një zëvendësi, para katër vite ai ka qenë nënkryetar i komunës së Malishevës.

    Ndër tjerash Ministria e Kulturës pritet që të zhvendoset në qytetin e Prizrenit. Zhvendosjen e kësaj ministrie e kishte premtuar kryetari i PDK-së njëherëshit edhe kryetari i kuvendit, Kadri Veseli. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark