×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Zoti ua bëftë qarën” – Vëllai i policit që iu refuzua ndihma për trajtim jashtë vendit nga shteti i Kosovës, rrëfehet për Insajderin

    Insajderi
    02 August 2022 - 17:34

    Ismet Sudolli vëllai i policit njëherit ish-ushtarit të UÇK-së, Brahim Sudolli nga Shiroka e Suharekës, të cilit i është refuzuar kërkesa për ndihmë financiare nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim urgjent jashtë vendit, ka dhënë detaje për Insajderin.

    Nga dy spitale në Turqi trajtimi për problemin me syrin do i kushtonte 24 mijë sa për fillim, siç u shpreh vëllai i policit i cili sot veç është nisur ta kryejë intervenimin në Spitalin e Tiranës.

    Brahim Sudolli ka problem me sy, kapilarët i kanë pëlcitur dhimbjen e ka pasur marramendëse, rrëfen vëllai i Brahimit, Ismeti për Insajderin.

    Kërkesën me vulë të gjashtë mjekëve të QKUK-së se duhet trajtim urgjent jashtë vendit e kanë bërë me 27 korrik teksa me 1 gusht Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur me refuzim.

    Shuma fillestare nga Turqia ka qenë 24 mijë euro e më lartë”, u shpreh Ismet Sudolli derisa zbuloi prapa skenat e takimit me zyrtarë të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

    “Ne gati 2 javë ditë kemi nga nëpër spitale të Prishtinës. Kjo lloj sëmundje i ka ardhë në moment, i ka ndodhë një fatkeqësi brenda kokës, prapa syrit i ka pëlcitur kapilari dhe tani i ka dhënë presion syrit dhe dhimbja ka qenë tejet e madhe, marramendëse derisa syri ka qenë duke i dalë jashtë. Trajtim mjekësorë ka pranuar në Prizren pastaj i kanë udhëzimin për me u nis për në Prishtinë, qëndroi plotë 10 ditë dhe dikur vet spitali dha konfirmimin se ne smundemi me trajtu këtu në QKUK”, tha Ismet Sudolli për Insajderin.

    Ai madje tregon se si iu drejtuan edhe në Fondin për Sigurime Shëndetësore duke i thënë “nuk e di çka me iu bë, zoti ua bëftë qarën”.

    “Gjashtë specialistët të Spitalit të Prishtinës, na kanë dhënë 6 vula për trajtim urgjent jashtë vendit dhe ne atë dokument i kemi telefonuar dy spitale të Turqisë dhe kemi aplikuar për mbulushmëri prej 70% tek Fondi për Sigurime Shëndetësore, kemi apliku me 27 korrik dhe 1 gusht na kanë refuzu për arsye që nuk kemi mundësi ne, për me trajtu këtë lloj sëmundje se nuk nuk i dinin as emrin për këtë e kanë thënë mjekët urgjentisht me u trajtu jashtë dhe këta na refuzuan. Drejtori apo zëvendësi i Fondit çka është saktë spe di, i thashë kush më jep mua llogari nëse i ndodh diçka – tha jo nuk e di, zoti ua bëftë qarën”, tha Sudolli për Insajderi.

    Për Gazetën Insajderin foli edhe vet polici Brahim Sudolli. Ai konfirmoi se tanimë ka marrë rrugën për Tiranë për trajtim e shtoi se nuk e ndihmoi shteti.

    “Jam në Spital të Tiranës tek doktor Petrela për intervenim. Nuk jam në Kosovë, gjithçka që ka thënë deputetja janë të vërtetë. Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar kërkesën time për trajtim jashtë vendit”, tha shkurt Brahim Sedolli për Insajderi.

    Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, është shprehur e ashpër në raport me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, pasi thekson se ish-veteranit të UÇK-së e tani pjesëtar i Policisë së Kosovës, Brahim Sedollit, i është refuzuar shërimi jashtë vendit.

    Këtë reagim deputetja Bytyçi e ka bërë në profilin e saj në Facebook, teksa ka publikuar edhe fotografinë e policit.

    “Nuk është marre me dhënë dorëheqje ministër, derisa nuk bëhet shumë vonë nga neglizhenca jote për të marrë përgjegjësi”, shkruan ajo ndër të tjera.

    Reagimi i plotë i deputetes:

    Refuzimi i Ministrisë për shërim jashtë vendit

    Nuk ka diçka më të dhimbshme se të shohësh një ish-ushtar të UÇK-së e që jep kontributin e tij edhe sot si polic në Policinë e Kosovës, që kërkon ndihmën e shtetit për shëndetin e tij e shteti ia mohon.

    Brahim Sedolli, veteran i luftës e polic në PK që po përballet me probleme shëndetësore i është refuzuar ndihma për shërim jashtë vendit.

    Çka me shtu më shumë kur Ministri ynë i Shëndetësisë ka harruar që ka marrë një detyrë jetike për njerëzit, dhe më shumë po e luan rolin e vëzhguesit dështak.

    Në kohën kur secili prej nesh thirret në vlerat e Policisë për çdo situatë të ndjeshme, si kjo e fundit në veri, ministri nuk po e ndihmon z. Sedolli të shërohet.

    Pasi policin e nderuar nuk e përkrah shteti ka fillu fushatën të kërkoj ndihmë nga dashamirët per shërim jashtë vendit .

    Nuk është marre me dhënë dorëheqje ministër, derisa nuk bëhet shumë vonë nga neglizhenca jote për të marrë përgjegjësi.

    Z. Brahim Sedollit i uroj shërim të shpejtë!

    Gazeta Insajderi tanimë për rastin ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht edhe Fondin për Sigurime Shëndetësore për të kuptuar pse i është refuzuar dhënia e ndihmës policit, Brahim Sudolli për problemet e tij shëndetësore.

    Nga ministria kanë konfirmuar se kanë pranuar pyetjet e dërguara dhe se nesër pritet një përgjigje më e saktë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore lidhur me rastin.

    Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark