×
  • Lajme
  • Lajme

    Zvicra diskriminuese ndaj burrave sa u përket pensioneve

    Insajderi
    11 October 2022 - 18:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria zvicerane është duke diskriminuar burrat sa u përket përfitimeve për pensione, ka thënë Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut.

    Ky vendim do t’i kushtojë Qeverisë me miliona euro të pagesave dhe do të detyrojë atë që të rishkruajë ligjin për pensionet.

    Aktualisht, grave që u vdesin burrat, u ndahet pension për gjithë jetën e tyre, derisa burrat marrin pagesa vetëm nëse kanë fëmijë nën moshën 18-vjeçare.

    Mirëpo koncepti se burri siguron të hyrat kryesore në një shtëpi nuk mjafton për të arsyetuar rregulloret, ka thënë Gjykata.

    Në qendër të vendimit ka qenë rasti i Max Beeler, një burri zviceran, të cilit i ka vdekur gruaja në një aksident në vitet 1990.

    Atëbotë 41-vjeçar, ai është larguar nga puna për t’u kujdesur për dy fëmijët e tij të vegjël edhe është mbështetur në pensionin që u ndahet personave të ve, kanë raportuar mediat lokale.

    Mirëpo më 2010, ai nuk ka marrë më ndihma, pasi vajza e tij e vogël ka mbushur 18 vjet.

    Nëse Beeler do të ishte grua, atëherë ndihmat nuk do t’i ndaleshin kurrë, pavarësisht se a do të kishte pasur fëmijë.

    Beeler, më pas e ka apeluar vendimin ndaj tij.

    Mirëpo ankesa e tij është hedhur poshtë, pasi gjykata në rajonin e tij ka thënë se ligji e konsideron burrin si siguruesin kryesor të të hyrave në shumicën e familjeve.

    Në vendim është thënë se burrat e ve, me përgjegjësi për fëmijët, pritet të kthehen në vendet e punës kur fëmijët të rriten, ndonëse praktika e njëjtë nuk vlen për gratë e veja.

    Por, Gjykata Evropiane i ka dhënë të drejtë Beelerit, duke thënë se roli i grave në tregun e punës ka ndryshuar dhe se dallimi në ligj është diskriminues për burrat.

    Ky vendim pritet të rinisë një debat të gjatë në Zvicër rreth asaj se sa fuqi duhet të kenë gjyqtarët evropianë në ligjet e brendshme.

    Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut është gjykatë me bazë në Strasburg të Francës, e cila vendos për shkeljet potenciale të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.

    Konventa është nënshkruar nga 46 shtete, duke përfshirë edhe disa që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, sikurse rasti i Zvicrës. /rel

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark