Golashënuesi më i mirë i edicionit të vitit 2014 dhe 2015 në Superligën e Zvicrës, Shkëlzen Gashi, ka vendosur të largohet nga futbolli aktiv në moshën 34-vjeçare. Ai do të pensionohet në fund të këtij sezoni.
“Po shikoj kah e ardhmja për atë që më pret”, ka shkruar Gashi në llogarinë e tij në Instagram.
Periudhën më të mirë në karrierë si futbollist në nivel klubesh e pati me Grasshopperin dhe Baselin. Në vitin 2013-të, ai e fitoi Kupën e Zvicrës me Grasshopperin, kurse në vitin 2015 u bë kampion në Superligën e Zvicrës me Baselin.
Gashi, që aktualisht është pjesë e Aaraut në rangun e dytë të futbollit helvetik, karrierë ka bërë edhe tek Bellinzona, Schaffauseni, Xamaxi e Zuerichu në Zvicër, kurse në ligën MLS në SHBA, ishte pjesë e skuadrës Colorado Rapids.
Me Shqipërinë ka 16-të ndeshje dhe një gol të shënuar. Ai ishte pjesë e Shqipërisë në Evropianin e vitit 2016-të në Francë dhe luajti vetëm tetë minuta në duelin kundër Zvicrës.