Insajderi
Lajme

300 “vdekje të dyshimta” të pazgjidhura – Qeveria ndau 520 mijë euro, laboratorët e IML-së ende jofunksionalë

Insajderi
23 September 2026 - 12:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
300 “vdekje të dyshimta” të pazgjidhura – Qeveria ndau 520 mijë euro, laboratorët e IML-së ende jofunksionalë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rreth 300 raste të vdekjeve të dyshimta pa epilog – Qeveria ndau gjysmë milioni, por laboratorët e IML-së mbeten jofunksionalë për shkak të zjarreve të 2023-ës. Rasti i të ndjerit N.M. nga fshati Jezerc i Ferizajt, trupi i të cilit mbeti pa një raport përfundimtar të autopsisë për më shumë se një vit – duke ia bllokuar familjes trashëgiminë, pronën dhe biznesin – nuk është një rast i izoluar. Ai është vetëm një nga qindra prej rasteve që sot dergjen në sirtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, pa një epilog përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes, shkruan Insajderi.

Pasi IML-ja dhe u.d. i drejtorit, Agron Thaqi, zgjodhën heshtjen absolute ndaj pyetjeve të Gazetës Insajderi të dërguara më 8 korrik, mediumi i u drejtua Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Vetëm pas procedimit të ankesës dhe presionit institucional nga AIP-ja, IML-ja më 15 shtator ka kthyer përgjigje zyrtare, duke pranuar përmasën alarmante të zvarritjeve dhe duke e faturuar fajin te zjarri që përfshiu objektin e tyre.

Zjarri që paralizoi 300 autopsi

Në përgjigjen e tyre zyrtare, IML-ja pranon se zvarritjet që lanë pa përgjigje me muaj e vite dhjetëra familje lidhen me dëmtimin e aparaturave nga zjarri.

“Instituti për Mjekësinë Ligjore sqaron se vonesat në përfundimin e disa rasteve lidhen kryesisht me ndërprerjen e shërbimeve laboratorike pas incidentit me zjarr në IML, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e laboratorëve dhe në procesin e analizimit të mostrave të marra gjatë autopsive,” thuhet në përgjigjen e IML-së.

Sipas tyre, pas procesit të renovimit janë kthyer në funksion salla kryesore e autopsisë, laboratori i antropologjisë, aparatura e rentgenit dhe salla e ekzaminimeve klinike. Megjithatë, dy laboratorët më kritikë – ai i histopatologjisë dhe toksikologjisë – vazhdojnë të mbeten jashtë funksionit të plotë.

“Aktualisht, rreth 300 raste janë në pritje të përfundimit të raporteve toksikologjike,” pranon zyrtarisht IML-ja.

Ndërsa familja e të ndjerit N.M. kishte ofruar deri në mbulim vetanak të shpenzimeve vetëm që mostrat të dërgoheshin jashtë vendit për analizim, IML-ja deklaron se nuk ka kompetencë të kryejë dërgesa të tilla vetë.

Në përgjigjen për Insajderin, IML sqaron se kjo procedurë varet tërësisht nga Prokuroria e Shtetit.

“Sa i përket dërgimit të mostrave jashtë vendit, IML nuk i dërgon vetë mostrat. Në rastet kur nevojiten analiza jashtë vendit, kjo bëhet në bazë të urdhëresës së Prokurorisë dhe në përputhje me zinxhirin e ruajtjes së mostrave. Dërgesat dhe pagesat bëhen nga Prokuroria, ndërsa IML ka rol ndihmës,” arsyetohet Instituti.

Në të njëjtën kohë, IML-ja ka mohuar pretendimet se mostrat e autopsive analizohen në laboratorë privatë në Kosovë që mund të jenë në pronësi të mjekëve që punojnë brenda këtij institucioni publik.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime edhe lidhur me fondet ndërkombëtare dhe trajnimet e kryera për stafin e IML-së, me qëllim që analizat të mos varen nga laboratorët e huaj.

IML-ja konfirmoi se ka përfituar nga programi IPA i Bashkimit Evropian për modernizim dhe përgatitje për akreditim, ku ishin të angazhuar edhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut, por sqaroi se procesi është menaxhuar nga Zyra e BE-së dhe jo si kontratë e drejtpërdrejtë e Institutit.

Lidhur me këtë çështje, koston financiare të dërgimit të mostrave jashtë vendit, si dhe kohëzgjatjen e procedurave për kthimin e rezultateve, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje zyrtare edhe pranë Prokurorisë së Shtetit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Objekti i IML-së u dogj dy herë – Qeveria ndau gjysmë milioni euro, por zgjidhje s’ka

Arsyetimi i Institutit se vonesat po ndodhin si pasojë e jashtëfunksionalitetit të laboratorëve lidhet me dy incidente të njëpasnjëshme të zjarrit që përfshinë objektin e IML-së në Prishtinë gjatë vitit 2023.

Zjarri i parë shpërtheu më 28 mars 2023, ndërsa pa u bërë ende një vit nga ky incident, më 8 dhjetor 2023, objekti u përfshi sërish nga flakët.

Për t’i dalë zot kësaj gjendjeje, më 13 mars 2024, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 520 mijë euro nga kategoria e shpenzimeve të paparashikuara për renovimin e kulmit dhe rikonstruksionin e hapësirave të brendshme të IML-së.

Vendimi kishte ardhur pas kërkesës zyrtare nga Ministria e Drejtësisë.

“Nga MD-ja kemi pranuar kërkesë për ndarjen e mjeteve buxhetore prej 520 mijë eurove dhe kjo kërkesë ndërlidhet për renovimin e kulmit dhe rikonstruksionin e hapësirave në objektin e brendshëm të IML-së, pas zjarrit dhe dëmeve që kanë ndodhur në atë objekt. Mjetet nga kjo pikë merren nga shpenzimet e paparashikuara, kategoria e shpenzimeve kapitale dhe transferohen në Ministrinë e Drejtësisë, tek Instituti i Mjekësisë Ligjore,” deklaronte ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Megjithatë, përkundër faktit se janë ndarë mbi gjysmë milioni euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë, infrastruktura kritike e këtij institucioni vazhdon të mbetet jofunksionale.

Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga incidentet, për shtetin e Kosovës zjarri i vitit 2023 vazhdon të digjet ende mbi laboratorët e IML-së dhe e bën zbulimin e shkakut të një vdekjeje të dyshimtë një ‘mister’ që kërkon vite pritjeje.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark