Deputeti i partisë ‘Guxo’, Haxhi Avdyli ka thënë se krerët e shtetit po e teprojnë me kursime në vizitat e tyre jashtë shtetit. Avdyli shfaq hapur lakminë për shpenzime luksi, duke marrë kështu shembull edhe harxhimet e presidentit amerikan, Joe Biden në Japoni.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës tha se më herët ka pasur shpenzime të mëdha për vizita, e tash po kursehet shumë.
Madje sipas tij, kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryediplomatja Gërvalla, po e teprojnë me kursime.
“Tash e kemi një kryeministër, kemi presidente, kryediplomate, që shpesh po bëjnë kursime, sa që po mendoj që ndoshta janë tu e tepru me kursime, nuk duhet me shku shteti në ekstrem me kursime. Askush nuk e mendon se sa i harxhon Biden në Japoni”, ka deklaruar ai në ATV.
Ndryshe, ditë më parë, Insajderi solli ekskluzivisht shpenzimet e Presidentes dhe vartësve të saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe katër vartës të saj kanë harxhuar 19 mijë e 512 euro në vizitën e korrikut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Derisa, në qershor të këtij viti, Insajderi poashtu shkroi edhe për harxhimet e kryeministrit të Kosovës në SHBA, atje ku Kurti dhe tre vartës të tij i harxhuan mbi 15 mijë Euro vetëm për akomodim.