
U nis për të bërë homazhe tek Kompleksi Memorial i mbi 50 personave të vrarë 24 vite më parë në fshatin Poklek të komunës së Drenasit. Por, për të shkuar atje presidentja Vjosa Osmani u përcoll nga një numër i madh xhipash të zinj.
Pushtetarët ishin nisur me xhipa të zinj për të përkujtuar masakrën e Poklekut.
Një video që posedon Gazeta Insajderi, shihen xhipat e zinj të presidentes Osmani të cilët shkaktuan tollovi në qarkullimin e automjeteve tjera.
Në fshatin Poklek, përpos presidentes së shtetit i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Në 24 vjetorin e përkujtimit të një ndër masakrës me të rëndë në Kosovë – ajo se çka mori vëmendjen e të pranishmëve ishin numri i madh i xhipave të zinj të pushtetarëve.
Insajderi sjell një video ku shihet grumbulli i xhipave të presidentes Vjosa Osmani.
Çfarë deklaroi presidentja Osmani për masakrën e Poklekut
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se sot është prej ditëve më të trishta të përkujtimit të viktimave të luftës në Kosovë.
Ajo ka thënë se masakra e Poklekut dhe ajo e Çikatovës së Vjetër janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për viktimat.
“Këtu në Poklek ka ngjarë një holokaust i vërtetë. Siç edhe e dini, diku 54 anëtarë të familjeve Muqolli, Elshani dhe të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë, në fakt shumica e tyre fëmijë fillimisht janë ekzektuar pastaj janë djegur dy herë në mënyrë që të eliminohen gjurmët e këtij krimi të llahtarshëm të forcave serbe në Kosovë. Kjo është një ndër dëshmitë më të fuqishme se regjimi serb kishte për qëllim shfarosjen e popullit tonë dhe kishte për qëllim që asnjë shqiptarë të mos mbrtet në tokën e Kosovës. Po ashtu edhe kjo masakër, ashtu si edhe ajo në Çikatovë të vjetër dëshmojnë egërsinë e këtij regjimi. Dhe njëkohësisht janë edhe dëshmi e dhimbshme se si akoma nuk ka drejtësi për të gjitha këto viktima të popullit tonë.”, ka thënë Osmani.