Në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk do të luhen ndeshje futbolli të paktën deri në pranverë të vitit të ardhshëm.
Këtë e ka bërë të ditur të premten mbrëma Federata e Futbollit e Kosovës.
FFK-ja doli me reagim pasi UEFA nuk e lejoi Ballkanin që të luaj në “Fadil Vokrri” ndeshjen e së enjtes ndaj Viktoria Plzenit.
“Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes. Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA”, thuhet në njoftim.