Pas 5 muajsh, një qytetar fiton betejën ligjore kundër Policisë së Kosovës për një gjobë të vendosur padrejtësisht - Insajderi
×
  • Insajderi Video
  • Insajderi Video

    Pas 5 muajsh, një qytetar fiton betejën ligjore kundër Policisë së Kosovës për një gjobë të vendosur padrejtësisht

    Insajderi
    18 April 2025 - 21:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në një shtet ku shpesh ndodh që fjala e qytetarit të mos ketë peshë përballë autoritetit, një qytetar nga Prishtina vendosi të mos hesht.

    Ishte 20 dhjetor i vitit 2024. Një ditë e zakonshme, një rrugë e zakonshme… por një ndalim nga policia e trafikut në fshatin Hodonoc, Komuna e Kamenicës, e ktheu ditën e tij në një betejë që do të zgjaste pesë muaj.

    Policët Lindrit Mavriqi dhe Drin Canaj, të Njësisë së Trafikut Rrugor në Kamenicë, i shqiptuan një gjobë prej 150 eurosh, me pretendimin se kishte parkuar veturën në mënyrë të parregullt.

    Por kjo nuk ishte e vetmja arsye. Qytetari B.S. pretendoi se arsyeja reale e ndëshkimit ishte akuza për mosvendosje të rripit të sigurisë – një pretendim që ai e hodhi poshtë menjëherë.

    Ai kishte prova filmike. Pamje që e tregonin qartë se: rripi i sigurisë ishte i vendosur. Ai refuzoi të paguante një gjobë të cilën e konsideronte jo vetëm të padrejtë, por edhe të pabazuar në fakte.

    Me vendosmëri, B.S. kërkoi shqyrtimin e rastit nga Komisioni për Vendosje në Policinë e Kosovës.

    Ai dorëzoi provat, shpjegoi ngjarjen dhe këmbënguli në të drejtën e tij. Më 23 janar 2025, Komisioni mblidhet për të shqyrtuar rastin.

    Pas analizimit të fakteve, dëgjimit të palëve dhe verifikimit të pamjeve, vendimi ishte i qartë: Kundërshtimi i qytetarit ishte i bazuar. Nuk kishte prova të mjaftueshme që ai kishte kryer ndonjë kundërvajtje.

    Gjoba u shfuqizua. Procedura u pushuar. Rasti u publikua nga Gazeta Insajderi, ku qytetari e kishte denoncuar ngjarjen.

    Në vijim mund të shihni storien e realizuar nga gazetarja e Insajderit, Dijellza Preniqi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark