Rast i zvarritur prej rreth 8 vitesh në gjykatë-i dëmtuari: Më prishën me familje, më mashtruan kinse do të më jepnin subvencione dhe më morën rreth 20 mijë euro - Insajderi
×
  • Insajderi Video
  • Insajderi Video

    Rast i zvarritur prej rreth 8 vitesh në gjykatë-i dëmtuari: Më prishën me familje, më mashtruan kinse do të më jepnin subvencione dhe më morën rreth 20 mijë euro

    Insajderi
    18 September 2025 - 15:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më 18 shtator të këtij viti, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur një tjetër seancë gjyqësore, për një rast që po zvarritet tash e gati 8 vjet. Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buqaj akuzohen për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Ndërsa të tre, përfshirë edhe Saranda Dobrunën, ngarkohen me veprën penale të “Mashtrimit”.

    Sipas aktakuzës, këto veprime i kanë bërë që prej vitit 2014 deri më 2016. Aktakuza është ngritur më 2017.

    Sipas Prokurorisë, tre të pandehurit kanë themeluar një organizatë joqeveritare me emrin “Qendra për Avokim dhe Diplomaci-QAD”, dhe përmes saj i kanë mashtruar dhjetëra qytetarë, shumica fermerë, të cilëve u kanë premtuar subvencione. Kësisoj ata i kanë përvetësuar mbi 600 mijë euro.

    Si funksionoi skema?

    Të akuzuarit u kanë thënë qytetarëve të paguajnë 25 deri në 30 përqind të subvencionit, në para të gatshme ose në xhirollogari, si një formë “participimi”, pra këtë shumë ata duhej ta paguanin me kushtin që pjesën tjetër të grantit ta paguante organizata.

    Për ilustrim: Organizata kishte hapur një thirrje publike për fermerët që të aplikonin për të përfituar grante. Një qytetar, pasi kishte aplikuar, ishte njoftuar se kishte “fituar” një grant në vlerë prej 70 mijë eurosh. Mirëpo, për të marrë mjetet, përfituesi duhej që fillimisht të paguante 25 deri në 30 përqind të shumës së grantit- një lloj “participimi”. Në këtë rast ilustrues, fituesi i grantit ishte detyruar të paguante 17,500 euro (25% e shumës) organizatës, me premtimin se pjesa tjetër,52,500 euro, do t’i deponohej më pas në xhirollogarinë e tij.

    Megjithatë, sipas aktakuzës, këto mjete nuk janë kthyer kurrë.

    Në seancën e të martës, para kryetarit të trupit gjykues, Agim Kuqi, dhe anëtarëve Mehdiye Bytyqi dhe Gent Beka, dëshminë në cilësinë e të dëmtuarit e dha Nazmi Piraj.


    Ai deklaroi se i janë marrë rreth 20 mijë euro (si shumë e participimit në projekt, për dy grante të “fituara”) dhe se, si shkak i moskthimit të tyre nga të pandehurit, tani është detyruar të hyjë në kredi për t’ia kthyer ato para babait dhe axhës së tij, për të cilët kishte aplikuar për të marrë subvencione, e me paratë e të cilëve kishte paguar edhe përqindjen e participimit.

    Pak a shumë të njëjtën dëshmi e dha edhe dëshmitari Asllan Beqiri.


    Ai tha se ka “fituar” një grant në vlerë prej 26.700 euro, ndërkaq ka paguar 7.476 euro si participim përmes bankës.
    Është shtyrë të blejë edhe pajisjet që kanë qenë pjesë e projektit. Pra, përveç TVSH-së (rreth 500 euro), ai është dashur të paguajë tërë shumën që i ishte thënë se do t’ia kompensonin, pra është nxitur të paguaj të gjitha pasijet e premtuara se do t’i jepeshin, në vlerë 26.700 euro. Sipas tij pas blerjes, nga organizata i kishin thënë se do të vijnë ta verifikojnë nëse pajisjet janë blerë, por kurrë nuk kanë ardhur, edhe pse i ka njoftuar se pajisjet i kanë blerë.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, deri më tash janë dëgjuar 22 dëshmitarë, ndërsa do të dëgjohen edhe 49 të tjerë.

    Në vijim mund ta shihni përmbledhjen e seancës gjyqësore, të përgaditur nga gazetarja Dijellza Preniqi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark