Një nga rastet më të bujshme të trafikut ndërkombëtar të drogës në Kosovë lidhet me kompaninë “MC FOOD” Sh.p.k., të drejtuar nga Izet Sheqiri. Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Sheqiri, bashkë me disa persona të tjerë, akuzohet për përfshirje në një rrjet të organizuar kriminal që kishte planifikuar të fuste në Kosovë 400 kilogramë kokainë të ardhur nga Brazili.
Sipas dosjes së prokurorisë, gjithçka kishte nisur në fund të vitit 2020, kur kompania “MC FOOD” kishte lidhur një kontratë bashkëpunimi me kompaninë braziliane “SEARA”, për importimin e produkteve të mishit të bardhë.
Në pamje të parë, kontrata dukej e rregullt. Por hetimet e mëvonshme treguan se kjo marrëveshje ishte përdorur si mbulesë për transportimin e drogës nga Amerika Latine drejt Ballkanit.
Sipas aktakuzës, Izet Sheqiri, si pronar i kompanisë “MC FOOD”, kishte rolin udhëheqës. Ai akuzohet se koordinoi planin, ndau detyrat dhe mbikëqyri çdo hap të operacionit, duke u kujdesur që gjithçka të dukej si import i ligjshëm mallrash ushqimore.
Në këtë plan përfshihet edhe Faton Vrajolli, drejtor i importit në kompani. Sipas prokurorisë, Sheqiri dhe Vrajolli kishin zhvilluar komunikime të drejtpërdrejta me kompaninë braziliane, duke negociuar transportin dhe paketimin e mallit.
Në një fazë të dytë, kontrata u ripërpilua me arsyetimin e pandemisë COVID-19, por prokuroria dyshon se qëllimi i vërtetë ishte ndryshimi i paketimit për fshehjen e kokainës.
Pas përgatitjes së dokumenteve dhe marrëveshjeve, ngarkesa e dyshimtë niset nga Brazili përmes rrugëve detare, për të mbërritur më pas në portin e Durrësit në Shqipëri.
Aty, sipas hetimeve, rolin kyç e merr Fehmi Bytyqi, një nga shoferët e kompanisë, i cili ishte caktuar për ta transportuar ngarkesën nga Shqipëria në Kosovë.
Prokuroria thotë në dosje se Bytyqi mbante komunikim të vazhdueshëm me Izet Sheqirin, i cili e udhëzonte gjatë gjithë procesit të transportit. Në momentin që kontejneri arriti në terminalin doganor në Fushë-Kosovë, ndodh pika më e ndjeshme e operacionit. Bytyqi, sipas aktakuzës, e incizon mallin brenda kontejnerit për të treguar se ngarkesa kishte kaluar kufirin. Videon ia dërgon menjëherë Izet Sheqirit, si provë se substanca narkotike kishte hyrë në territorin e Kosovës.
Por pikërisht aty, gjatë kontrollit doganor, autoritetet kosovare zbuluan sasinë e dyshimtë të vendosur mes produkteve të mishit. Hetimet e thelluara zbuluan se bëhej fjalë për 400 kilogramë kokainë- një nga sasitë më të mëdha të sekuestruara ndonjëherë në Kosovë.
Pas zbulimit të drogës, Policia e Kosovës nisi një aksion të gjerë arrestimesh. Në pranga ranë disa persona, përfshirë Izet Sheqirin, Faton Vrajollin, Kadri Sheqirin, Kadri Rrahimin, Fehmi Bytyqin, Hyzri Sheqirin dhe Naim Morinën.
Në fund të hetimeve paraprake, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër të gjithë të përfshirëve, duke i ngarkuar me veprat penale: Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve.
Aktakuza është ngritur 3 vite më parë.
Më datë 26 tetor të këtij viti, para trupit gjykues ka dëshmuar Izet Sheqiri, i cili deklaroi se gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, nuk ka pasur asnjë kontakt me të akuzuarin tjetër, njëkohësisht djalin e axhës së tij, Kadri Zeqirin.
Megjithatë, përgjimet e bisedës së këtij të fundit me bashkëshorten e tij kanë treguar të kundërtën, diçka që është prezantuar në seancë edhe nga prokurori i çështjes. Madje nga transkripta e përgjimit është prezantuar edhe detaje nga biseda mes tyre.
Për më shumë, mund të ndiqni përmbledhjen e seancës, material të realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi.