Në një vend ku uniforma duhet të jetë simbol i besimit dhe mbrojtjes, ndodhi që një ish-rreshter i Policisë së Kosovës, në stacionin e Pejës, njeri i betuar për të ruajtur rendin dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve-të ketë kryer aktin më të ulët që mund të bëjë një njeri: ushtroi dhunë brutale ndaj një gruaje, ajo ishte kolegia e tij, një zyrtare policore.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë thuhet:
Në orët e para të 15 majit të 2022-tës, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën e transitit në Pejë, Senad Hamziq, rreshter policie në atë kohë e takoi ish-të dashurën e tij, zyrtaren policore F.K.
Por ajo që duhet të ishte një bisedë mes dy njerëzve të rritur, u shndërrua në një skënë tmerri. Hamziq fillon ta sulmojë fizikisht zyrtaren, duke e goditur brutalisht dhe më pas duke e futur me forcë në veturën e tij personale.
Në ato momente, viktima përjetoi sekonda paniku e frike pasojat të cila i vuan edhe sot.
Në vend të ndalonte, ish-rreshteri vazhdoi ta ngasë veturën me shpejtësi, ndërsa e lënduara u mundua të shpëtojë, ta ndaloj veturën duke tërheq frenin e dorës në përpjekje për të shpëtuar jetën e saj. Por kjo tentativ e saj nuk rezultoi e suksesshme.
Pra në mes të natës, në një rrugë të errët, një grua po lufton për të mos vdekur nga dora e një njeriu që duhej ta mbronte.
Sipas dosjes së Prokurorisë, dyshohet se rasti ka ndodhur për motive xhelozie.
Ish- rreshteri, i cili më parë kishte pasur raport dashurie me zyrtaren, nuk e kishte pranuar faktin që ajo kishte nisur një jetë të re.
I pushtuar nga zemërimi dhe obsesioni, ai e kishte kërcënuar me fjalët të cilat në aktakuzë u përshkruan kështu: …i njëjti i drejtohet së dëmtuarës me fjalët “kom me ju vra të dyve”, duke aluduar edhe në një person për të cilin i pandehuri dyshonte se e dëmtuara po e tradhtonte me te, ndërsa më pas nga frika dhe ankthi e njëjta fillimisht lajmëron rastin si lëndim aksidental se kinse ishte rrëzuar në shtëpi, ndërsa më pas njofton Policinë se ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga i pandehuri Senad Hamziq.
Për këto Prokuroria Themelore në Pejë vendos ta akuzojë rreshterin vetëm për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.
Në dokumentet e siguruara nga Insajderi e dëmtuara kishe deklaruar para gjykatës se ajo kishte marrë edhe urdhërmbrojtës, por sipas saj, ai e ka shkelur atë duke iu afruar tek shtëpia.
Po ashtu ajo ka deklaruar se vepra penale në aktakuzë fillimisht ishte cilësuar si “lëndim i rëndë trupor”.
Insajderi ka marrë vesh se më 31 tetor, në seancën gjyqësore ndaj Hamziqit për veprën penale lëndim i lehtë trupor, ai është dënuar me 3 mijë euro gjobë, ndërkaq akuza për kanosje është rrëzuar.
Gjyqtar në këtë rast ishte Veton Ademaj.
Në vijim mund ta ndiqni storien e përgatitur nga gazetarja Dijellza Preniqi.