×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    A e rënduan gjendjen e pjesëtarit të FSK-së deklaratat e krerëve të shtetit? – Avokati flet për Insajderin

    Insajderi
    09 January 2023 - 15:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Deklarimet e spektrit tonë politik i kanë dhënë epitet si sulmues, Azem Kurtajt”, kështu ka thënë për Gazetën Insajderi avokati, Kujtim Kërveshi teksa komenton rastin e klientit të tij, i cili po akuzohet për plagosjen e dy serbëve.

    Kërveshi ka hedhur poshtë dyshimet se pjesëtari i Forcave të Sigurisë së Kosovës ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qytetarëve në Shtërpcë, në natën e 6 janarit.

    Sipas tij, Kurtaj është kanosur nga një grup, të cilët në duar mbanin mjete të forta, e që ai është detyruar ta mbrojë vetën.

    Fillimisht në ditën kur incidenti i pretendum ka marrë zë në publik, është lidh me kontaminimin politik të rastit. Duke pasur parasysh se edhe deklarimet e spektrit tonë politik i kanë dhënë epitet si sulmues, që në fakt nuk përputhet me të vërtetën. Bëhet fjalë për një vetëmbrojtje klasike, i cili është shfaq para një grupi të personave të cilët e kanë kanosur, të cilët kanë pasur mjete në duar të forta, nga të cilat vihet në rrezik jeta e secilit”, ka thënë ai për Insajderin.

    “Ka tentuar ti shmanget këtij rrezik dhe ka vepruar në tentim të vetëmbrojtjes së këtij grupi, nuk ka asnjë provë që prokuroria sot apo më vonë ka me vërtetu që i mbrojturi jonë ka përdorur armën në drejtim të dikujt konkretisht”, sqaroi avokati.

    Reagimet nga krerët e shtetit

    Si rrallë herë, krerët e shtetit reaguan në shpejtësi të dritës për rastin e plagosjes në Shtërpcë, ku pretendohet se pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj la të plagosur dy serbë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi akt të patolerueshëm sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë. Në reagimin e saj, Osmani kërkoi që autori të vihet para drejtësisë.

    “Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë”, thuhej në reagimin e presidentes.

    Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti tha se është thellësisht për plagosjen e tyre teksa shtoi se i dyshuari, në këtë rast Azem Kurtaj do të përballet me drejtësinë.

    “E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”, ka thënë ai.

    Pa reaguar nuk la as ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo në profilin e saj në Facebook ka shkruar se plagosja e dy të rinjve serbë është e papranueshme.

    “Zero tolerancë ndaj krimit! Plagosja e sotme në Shtërpcë e dy të rinjve, qytetarë të Republikës së Kosovës, përbën një krim të papranueshëm dhe të patolerueshëm. Përgjegjësi apo përgjegjësit e këtij krimi duhet dhe do të përballen me drejtësinë”, shkruante ajo.

    Një reagim mjaft të ashpër e bëri edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Duke e cilësuar rastin si “sulm makabër”.

    “Sulmi i sotëm në Shtërpcë nga vetura në lëvizje, dhe plagosja e dy qytetarëve të kominitetit Serb 11 dhe 21 vjeç, është sulm makabër ndaj të drejtës elementare të qytetarëve të këtij vendi dhe sulm direkt ndaj Republikës së Kosovës! Sulmi si i tillë është akt i izoluar i një individi i cili me këtë vepër nuk përfaqëson asnjë institucion, politikë apo synim të shumicës”, shkruante ajo në Facebook.

    Me 8 janar, Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim Azem Kurtajt, të dyshuarit për plagosjen e dy personave në Shtërpcë. Ai po dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasja e rëndë në tentative” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “ shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Sipas gjykatës “Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyçet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark