Platforma e shumëpërfolur politike “Rruga e Re” e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka në plan ta “shpëtojë Republikën”, po synon të finalizohet në ‘Hotel Brezovica’, në pronësi të biznesmenit multimilioner të dyshuar për dhënie ryshfeti, Abedin Salihu, i cili fillimisht ishte në arrati jashtë shtetit e më pas pasi që iu dorëzua policisë, u lirua.
Salihu është njëri nga të dyshuarit për rastin “Brezovica”, teksa për biznesmenin Gazeta Insajderi ka raportuar më herët se u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan, nuk ka arritur të arrestohet. I njëjti më pas në maj të vitit të kaluar iu ka dorëzuar forcave policore në Kosovë. Ai e ka arsyetuar arratinë e tij duke thënë se ka trajtuar jashtë vendit problemet shëndetësore nga COVID-19.
Në vilën e biznesmenit të dyshuar për ryshfet po qëndrojnë figura të rëndësishme të LDK-së, përfshirë deputetë, kryetarë dhe zyrtarë komunash, sipas Nacionales.
Mediumi në fjalë ka publikuar edhe fotografi të zyrtarëve të LDK-së nga “Hotel Brezovica”, ku shihet Abdixhiku në krye duke iu folur pjesëtarëve të partisë.
Gazeta Insajderi ka raportuar për një lloj “besatimi” ndërmjet Abedin Salihut, i cili ka në pronësi edhe kompaninë “Dino”, si dhe pushtetit lokal në Lipjan, që udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së.
Kompania e tij ‘’Dino Sh.P.K’, kishte fituar pesë tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë prej 2 milionë e 912 mijë e 308 euro.
Salihu përveç bizneseve, ka bërë investime edhe në sport. Ai është president dhe donator i klubit të futbollit “FC Ulpiana”. Gazeta Insajderi nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga ky klub kishte arritur ta marrë vesh se i dyshuari për ryshfet po qëndronte në arrati pasi u shpall i kërkuar nga policia për rastin “Brezovica”.
“Ju njoftojmë se KF Ulpiana 1926, se Kryetari i KF Ulpiana 1926, është Abedin Salihu, i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit…”, shkruhej ndër të tjera në dokumentin në fjalë.
Platforma “revolucionare” e LDK-së, e cila po finalizohet në pronën e biznesmenit të dyshimtë lipjanas në një qëndrim dy-ditor të zyrtarëve, po promovohet si zgjidhja e vetme për Kosovën.
Abdixhiku në disa nga adresimet e tij thoshte se ‘Rruga e re’ do t’i ketë krejt përgjigjet për secilën fushë jetësore.
“Në tetor një konventë e madhe e ‘Rrugës së re’, një program politik i detajuar. Pra, krejt përgjigjet do t’i kemi, për shëndetësi, për arsim, për ekonomi, për çdo temë e politik të jashtme”, thoshte ndër të tjera Abdixhiku në Radio Dukagjin.
Abdixhiku, më tej, e sponzorizonte ‘Rrugën e Re’ tek simpatizantët e LDK-së si platformë unifikuese, teksa kritikonte polarizimin e shoqërisë kosovare.
“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne. Rruga e re si ri-zgjim kombëtar është domosdoshmëri”, thoshte Abdixhiku përmes një video-adresimi në ‘Facebook’.
Kompania “Dino” e multimilionerit Salihu është e përfshirë edhe në një skandal tjetër. Atë të palestrës së Zhegrës në Gjilan.
Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konsorciumin e kompanive “Visioni Projekt” dhe ” Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95 mijë e 965 eurove.
Kompanitë ishin të obliguara që punimet t’i kryhenin sipas kontratës sipas planit dinamik prej 25 ditëve, por ato nuk ishin kryer sipas kontratës.
Platforma e Abdixhikut “Rruga e Re”, që po paraqitet si vizionare në politikëbërjen e skenës kosovare, po finalizohet në pronën e një personi që përveç skandaleve me biznes, kishte më herët probleme të mëdha me ligjin.
Në një dosje policore për të kaluarën e multimilionerit Abedin Salihu, të cilin e kishte publikuar mediumi ‘Front Online’, ai përfshihej në dyshime për falsifikim të dokumenteve zyrtare, përfshirje në aksident me lëndime, aksident me fatalitet, dyshime për sulme dhe dyshime për dëmtime kriminale.
Abedin Salihu- Dino ka qenë i dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare më 23.3.2006 në Klinë. Më 17.11.2009, sipas Policisë së Kosovës, Salihu dyshohej për uzurpim të pronës dhe kërcënim, rast ky i referuar në Prokurori.
Më 8 shkurt 2007, Salihu, sipas Policisë së Kosovës, dyshohej për përfshirje në një aksident me lëndime, përderisa më 25 mars 2002 ishte i dyshuar për sulm, i cili rast po ashtu ishte referuar në Polici.
Një rast të tillë, si i dyshuar për sulm, Abedin Salihu e ka pasur edhe në vitin 2006 te “Motel Porta”, i cili rast po ashtu ishte i referuar ne prokurori. Në vitin 2004 ishte i dyshuar për dëmtim kriminal, ndërsa më 16 dhjetor 2006 ishte i dyshuar për sulm të rëndë, rast ky po ashtu i referuar në Prokurori. Ndërsa më 1 nëntor 2002 dyshohej për një aksident me fatalitet, i cili rast po ashtu ishte referuar në Prokurori. /Insajderi.org/