×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Abdixhiku mirëpret marrëveshjen për targat: Të panevojshme dramat populliste nga Kurti

    Insajderi
    24 November 2022 - 10:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur për targat mes Kosovës e Serbisë, derisa ka drejtuar disa kritika ndaj Qeverisë Kurti, shkruan Insajderi.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka cilësuar si drama populliste qëndrimet e deritashme të Kurtit, derisa ka shtuar se nuk kanë qenë të nevojshme.

    “LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore”, shkroi ai.

    Sipas tij, kjo sjellje e ka bllokuar Kosovën drejt proceseve kryesore integruese të vendit.

    “Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, shkruan Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.

    Reagimi i plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

    Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës.

    LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit.

    LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën.

    Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe, të mërkurën kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

    “Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell në Twitter.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark